Anëtarësimi në NATO, fatura financiare për Shqipërinë
Anëtarësimi i shumëpritur i Shqipërisë në NATO, veç përfitimeve në fushën politike, nxjerr në pah edhe disa kosto jo të vogla, sidomos për buxhetin. Për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në NATO, qeveria shqiptare është detyruar që në katër vite të rrisë me mbi dy herë shpenzimet për sektorin e mbrojtjes, nga 11.5 miliardë lekë që ishin në vitin 2005, në 25.3 miliardë në buxhetin e 2009-s. Para që kanë shkuar për pagat e ushtarakëve, blerje mallrash dhe shërbimesh, si dhe investime për të modernizuar infrastrukturën ushtarake.
Të dhënat zyrtare tregojnë se shpenzimet për ushtrinë po shndërrohen në një nga zërat më me peshë të buxhetit, duke marrë çdo vit rreth 2 për qind të produktit të brendshëm. Fatura pritet të jetë e lartë edhe për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Një studim i Institutit për Konsultime Ekonomike dhe Juridike ka llogaritur se deri në vitin 2020, Shqipërisë do t’i duhet të investojë në total edhe mbi 3 miliardë euro të tjera për sektorin e mbrojtjes, shifër që përbën gati 37 për qind të PBB-së aktuale të vendit.
Shqetësimi më i madh në rastin e Shqipërisë, sipas disa ekspertëve, ka të bëjë me peshën e madhe që zënë shpenzimet e detyruara për mbrojtjen ndaj të ardhurave që mbledh qeveria në buxhet, për shkak të evazionit të lartë fiskal.
Për vitin 2010, shpenzimet për mbrojtjen do të marrin rreth 7.5 për qind të totalit të të ardhurave, një barrë jo e vogël për një vend, i cili ka nevoja emergjente për investime edhe në sektorë të tjerë kyç, si infrastruktura apo dhe shëndetësia dhe arsimi. Në fund të fundit, edhe ngjarjet historike kanë kosto.
Në prill të vitit 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). Shqipëria dhe Kroacia, dy vende këto të vogla dhe me ushtri jo shumë të fuqishme, u rreshtuan përkrah Shteteve të Bashkuara, Francës, Anglisë, Gjermanisë etj., në një politikë të re globale. Më datën 7 prill, flamuri shqiptar u valëvit në krye të 27 flamujve të tjerë, jo për shkak të fuqisë, por shkronjës së parë të alfabetit. Një flamur, për të cilin edhe shqiptarët do të krenohen që do ta shohin të valëvitet në erën e historisë së kombeve.
#