Mazhoranca heziton të mbyllë ndryshimet në Rregullore
Mazhoranca ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar për çështjen e ndryshimit të Rregullores. Pas kundërshtimit të opozitës në dy raundet e para të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, raundi i tretë, që pritet të zhvillohet sot paradite, shfaqet edhe më i vështirë. Opozita pritet të paraqesë të gjitha variantet botërore të votimit të dekreteve të ardhura në Parlament, duke insistuar mbajtjen e votimit të fshehtë. Kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, ktheu në draft angazhimin e mazhorancës, të marrë në mbledhjen e së hënës të grupit parlamentar të PD-së, për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Të mërkurën, më 2 qershor, është mbledhur Këshilli i Rregullores, i cili vendosi ndryshimin e dy neneve të ligjit që rregullon veprimtarinë e legjislativit shqiptar. Kështu është hequr një nga pjesët më të rëndësishme në këtë rregullore, i cili bën votimin në mënyrë të hapur të të gjitha dekreteve të Presidentit. Me vetëm 3 nene, vendimi për ndryshimin e Rregullores thekson se: 1 - në nenin 58, pika 2 hiqen fjalët “për emërim dhe shkarkim ministri”, në nenin 2 theksohet se në nenin 11, pika 6, ndryshohen fjalët brenda ‘tre javëve’ bëhen ‘brenda tetë javëve’ dhe neni 3 bën të ditur se ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Në draftin aktual të Rregullores së Kuvendit theksohet se “votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të buxhetit të shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të”.
#