E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësimi në NATO, realizim i ëndrrës së martirëve që sakrifikuan për lirinë. Në Kuvend do krijojmë muzeun e krimeve të komunizmit.

 

Kryengritja e Postribës, e para kryengritje antikomunistë në Shqipëri dhe Europë u cilësua nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli si ngjarje që i bën nder gjithë Shqipërisë dhe shpirtit të lirë të shqiptarëve.

Në 62 vjetorin e përkujtimit të kësaj kryengritjeje, ku njerëzit e diktaturës vranë 21 burra e të rinj, pushkatuan 19 të tjerë dhe dhjetra persona të tjerë u burgosën dhe iu nënshtruan kalvarit të gjatë të një persekutimi të dhimbshëm, Kryetarja Topalli foli për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se antarësimi vitin e ardhshëm është realizimi i ëndrrës së martirëve që sakrifikuan për liri.

Shqipëria mori ftesën për NATO, tha zonja Topalli. Sot ky është shpërblimi që mund ti bëjmë ëndrrës së tyre, ëndrrës për liri. Unë jam shumë optimiste se brenda vitit të ardhshëm Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota të NATO-s.
Një vit më parë, këtu nga ky vend, kam folur duke u përkulur me respekt për këta burra të  mëdhenj, për mundësinë  e marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO. Unë nuk isha e sigurtë se 6 muaj më parë të ndodhte mrekullia, për të cilën ata burra dhanë jetën. Kjo është gjëja  më e mrekullueshme, që e quajtën mrekullia e lirisë, e quajtën endërra e fëmijërisë, dhe Shqipëria po hyn së bashku me aleatët me të fuqishëm të botës në aleancën e lirisë së kohërave. Një ëndërr që është një mrekulli. Kjo është meritë e shqiptarëve, e juaja.

Kjo ngjarje, vijoi Kryetarja e Kuvendit, ju bën  nder ju si banorë të Postribës, mua si shkodrane, ne si shqiptarë, sepse është kryengritja e parë antikomuniste në të gjithë Europën. Kjo ngjarje na bën nder ne sepse me këtë levizje në 46-ën, atëhërë kur filluan dënimet,  gjygjet speciale të dënimeve të atyre që nuk pranuan komunizmin, atëherë kur filluan dënimet, pushkatimen dhe internimet e gjykatave ushtarake. Këta qytetarë nuk pajtoheshin me ideologjinë e krimit të dhunës, të kulturës antiperëndimore, shqiptarët treguan se në fakt i besojnë një gjëje shumë të shtrenjtë. Ata i besojnë lirisë, Perëndimit, i  besojnë  shpirtit të tyre dhe kjo ju bën  me nder ju, na bën me nder ne.

Kryetarja e Kuvendit, e cila ka qenë një nga nga nxitëset kryesore për miratimin e ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve, tha se brenda një kohe të shkurtër  ky ligj do të miratohet për tI dhënë kështu më shumë paqe shoqërisë.

Gjatë kësaj periudhe,  që kam qenë Kryetare e Kuvendit,  në korridoret e ambientit të Parlamentit të Shqipërisë kam pasur fatin dhe nderin të vendos figurat e patrioteve më të mëdhenj të Shqipërisë, që nga Pavarësia dhe, më pas, ata që u pushkatuan nga regjimi komunist. Kam pasur fatin dhe nderin  të kujtoj me respek grupin opozitar të deputetëve  që regjimi komunist  i pushkatoi.

Unë besoj se brenda një periudhe shumë të shkurtër ne do kalojmë ligjin, i cili do ti japë shumë paqe shoqërisë. Ishte sigurimi i shtetit, gestapoja shqiptare,  që mori ata djem të rinj, i lidhi me hekura, që i mori zvarrë rrugëve të Postribës  dhe, më pas, i vendosi te muri i pushkatimit. Ne do ta bëjmë ligjin,  sepse ne nuk mund të hyjmë në Europë pa  pasur paqen. Natyrisht duhet ti zbulojmë disa gjëra të rëndësishme, që duhet ti themi  siç është dënimi i komunizmit, që është gjëja më e rëndësishme pa u ndarë nga e kaluara dhe, ne do ta bëjmë atë me ligjin e pastërtisë së figurave dhe do bëjmë dhe shumë aktivite të tjera.

Kryetarja e Kuvendit  tha se brenda këtij mandati, në sallën e Parlamentit do të krijohet  një muze i  krimeve të komunizmit dhe një muze tjetër për ata që luftuan dhe ata që dhanë jetën për shpirtin e lirisë,  për idealet e tyre perëndimore.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›