E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju mirëpresim sa më shpejt në NATO.

 

Progresi i jashtëzakonshëm i Shqipërisë është i dukshëm dhe ju mirëpresim sa më shpejt në familjen e madhe të NATO-s, u shpreh Kryeministri i Islandës, Geir Haarde në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Duke shprehur të gjithë mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë, zoti Haarde theskoi se Islanda është e interesuar për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, në të gjithë fushat.

Kryetarja e Kuvendit shprehu falënderimet për mbështetjen islandeze për marrjen e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO, duke shtuar se Islanda është një model suksesi, veçanërisht për luftën ndaj korrupsionit.

Para pak kohësh, së bashku me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Bebiç i kemi dërguar të gjithë parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, një letër ku i kërkojmë ratifikim sa më të shpejtë të protokollit të anëtarësimit dhe unë ju falënderoj për konfirmimin se pala islandeze do të ratifikojë shumë shpejt këtë protokoll, tha  Kryetarja Topalli.

Nga ana e tij zoti Haarde tha se: Shqipëria është një vend me shumë potenciale dhe ju përgëzoj për të gjithë progresin ekonomik, për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, për forcimin e shtetit ligjor.
Vendi juaj, vijoi ai, është një faktor stabiliteti në rajon dhe ne vlerësojmë rolin dhe qëndrimet tuaja në këtë aspekt.

Duke berë një prezantim të shkurtër të zhvillimeve më të fundit në vend, Kryetarja e Kuvendit u ndal në ecurinë e proceseve integruese në BE dhe NATO, si dhe në reformat kryesore të ndërmarra nga Qeveria dhe Kuvendi.

Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, tha zonja Topalli, ishte një moment kulmor në historinë e demokracisë në Shqipëri. Ne kemi bindjen që, përmes vijimit të reformave të mëdha do të bëjmë të mundur anëtarësimin e plotë në NATO vitin e ardhshëm, ndërsa brenda muajit tetor besojmë se do të përmbyllim edhe fazën e ratifikimit të MSA-së me BE-në.

Reformat në fushën fiskale, tha Kryetarja e Kuvendit, kanë sjellë jo vetëm një rritje dhe stabilitet ekonomik, por e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet më atraktive për investime e turizëm. Reformat në drejtësi kanë forcuar shtetin ligjor, reformat sociale kanë rritur mirëqenien e qytetarëve dhe ne kemi angazhimin maksimal në vijimin e tyre.

Duke vlerësuar angazhimin e Islandës në rajonin ballkanik, zonja Topalli shprehu mirënjohje për njohjen nga ana e Islandës, të pavarësisë së Kosovës.

Kam patur rastin dhe kënaqësinë të takoj Kryetarin e Parlamentit të Islandës gjatë një konference të rëndësishme në Këshillin e Europës, tha zonja Topalli, dhe shpresoj që së shpejti ai të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Bashkëbiseduesit ndanë mëndimin se janë të gjitha mundësitë që shkëmbimet parlamentare të jenë më të shpeshta, për të rritur kështu bashkëpunimin parlamentar dhe shkëmbimin e përvojave.

Biseda më tej u ndal në mundësitë konkrete të bashkëpunimit dy palësh në ekonomi, shkëmbime tregëtare, energji e turizëm.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›