E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi mbështet studentë shqiptarë me bursa në Kolegjin e Europës.

 

Topalli: Kuvendi do të vijojë të punësojë të rinj, që përfundojnë shkëlqyeshëm studimet.
Ambasadori Bosch: OSBE e lumtur që  bashkëpunon në këtë inisiativë fantastike të Kuvendit


Studentët shqiptarë, që studjojnë jashtë vendit kanë dhe do të vijojnë të kenë mundësinë të kryejnë praktikën dhe të punësohen në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo ftesë e hapur për të gjithë studentët u bë nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë ceremonisë së dorëzimit të diplomës së Masterit për njërën nga studentet shqiptare, e cila ka kryer studimet në College of Europe në Bruge,  Belgjikë përzgjedhur përmes procedurave rigoroze e transparente nga vetë College of Europe.

Kryetarja Topalli  është një nga inisiatoret e kësaj nisme mbështetur nga projekti i OSBE " Për mbështetjen e Parlamentit Shqiptar" .

Në këtë takim me praninë edhe të Ambasadorit të OSBE, Z. Robert Bosch, morën pjesë përfaqësues të rrjetit Albstudenti që përfshin rreth 3 mijë studentë që studjojnë jashtë vendit, si dhe të rinj të kthyer nga studimet që punojnë aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë.

College of Europe është një nga më prestigjiozët në Evropë, i njohur botërisht për kualitetin e lartë akademik dhe renditet i pari, përsa i përket pergatitjes së eurokratëve apo punonjësve të institucioneve Europiane.

Ambasadi Bosch e cilësoi si fantastike, nismën e Kryetares së Kuvendit për të mbështetur financiarisht bursën e studentit të zgjedhur nga Kollegji I Evropës në Bruge.


Unë, ashtu si prindërit tuaj, tha zonja Topalli, .jemi shumë krenarë për ju ashtu siç jemi krenarë edhe për studentët me rezultate të shkëlqyera që studjojnë në Shqipëri. Ju i bëni një nder vetes dhe vendit tuaj sa herë që arrini suksese në sfidat tuaja personale. Ndihem shumë mirë që në stafin e Kuvendit kemi punësuar rreth 15 të rinj që kanë studjuar në universitetet prestigjioze të botës, siç kemi punësuar edhe studentë të shkëlqyer që kanë përfunduar studimet në Shqipëri, duke krijuar një bërthamë tepër të kualifikuar.

Ju jeni ndër ata të rinj që besoni realisht në të ardhmen e Shqipërisë që keni krijuar rrjet të gjerë studentësh dhe që shihni se sa shumë Shqipëria ka ndryshuar për një kohë kaq të shkurtër, sepse jemi një vend me energji të pashtershme dhe me ambicje të mëdha pozitive, jemi një vend që falë refirmave ekonomike dhe politike është në fazat e fundit të integrimit në BE. Kemi bërë të mundur që Shqipëria të marrë ftesën për në NATO, kjo është arritja më e jashtëzakonshme dhe jemi  duke punuar për të bërë të mundur që të jemi anëtarë të plotë të NATO-s.


Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si shumë të rëndësishëm programin Brain Gain të qeverisë, një inisiativë që bën të mundur kthimin në Shqipëri dhe përfshirjen në administratën publike dhe sektorë të tjerë të të rinjve që kanë kryer studimet në universitete jashtë vendit.

Duke i njohur studentët me pozicionimin qendror të  Kuvendit të Shqipërisë në jetën politike shqiptare Kryetarja Topalli tha se, të gjitha këto inisiativa që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, kanë bërë që Parlamenti dhe parlamentarizmi të ridimensionohen në të gjitha fushat, duke filluar nga ajo infrastrukturore dhe duke përfunduar në vendimarrjet në seancat plenare. Asnjëherë më parë Kuvendi i Shqipërisë nuk ka qenë kaq transparent sa çështë sot dhe kjo më bën të ndihem mirë, tha Kryetarja Topalli.

Nga ana e tij ambasadori I OSBE-së Bosch u shpreh:

Jam shumë i kënaqur që jam me juve sot për të celebruar përmbushjen e suksesshme të nismës suaj për të çuar më tej edukimin,  e profesionistëve të rinj në stafin tuaj.
 
Prezenca e OSBE është e lumtur që është në gjendje të sigurojë mundësi për stafin tuaj për të kompletuar studimet në Kollegjin Europian te Bruge, i cili njihet akademikisht në të gjithë botën për përgatitjen e profesionistëve të rinj në çështjet që kanë të bëjnë me BE-në.
 
College of Europe ka përzgjedhur dy studentëve te tjerë shqiptarë, të cilët do të vazhdojnë studimet gjatë këtij viti akademik në këtë universitet, përmes projektit të Kuvendit të Shqipërisë dhe OSBE-së.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›