E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ka tashmë energjinë e duhur për të ecur përpara. Kryetarja e Kuvendit takon përfaqësuesit e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer.

 

Shqipëria ka një zhvillim impresionues gjatë viteve të fundit dhe personalisht e ndjej energjinë dhe dëshirën për të ecur përpara.

Kështu u shpreh gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, zoti Thomas Kunze, Drejtori për Evropën dhe Amerikën e Veriut i Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, një nga fondacionet më të njohura dhe më prestigjioze në mbështetje të vendeve që aspirojnë integrimin Euro-Atlantik, i shtrirë në mbarë globin.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Zonja Topalli i shprehu zotit Kunze mirënjohjen për mbështetjen e çmuar dhe përkrahjen e vazhdueshme që ky fondacion i ka dhënë Shqipërisë si një partner i rëndësishëm.

Kryetarja Topalli e njohu shkurtimisht zotin Kunze me ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë në NATO dhe në BE, si dhe me zhvillimet dhe reformat e gjithashme të  ndërmarra, të cilat kanë vendosur themele të forta për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.


Shqipëria, tha zonja Topalli falë reformave të mëdha politike, ekonomike e sociale, ka hyrë në fazën e fundit integruese, duke përshpejtuar rrugën e integrimit dhe zhvillimit. Besojmë se do të përmbyllim së shpejti fazën e ratifikimit të MSA-së me BE-në, ndërsa kemi hapur negociatat për liberalizimin e vizave për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, gjë që mbetet një prioritet i yni. Po ashtu kemi të gjithë vullnetin dhe angazhimin për ta bërë Shqipërinë anëtare të NATO-s, vitin e ardhshëm.


Jemi shumë të kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm, tha zoti Kunze, dhe, për të forcuar më tej këtë bashkëpunim, së shpejti fondacioni do të ketë zyrën e tij përfaqësuese në Shqipëri.

Zoti Kunze shprehu vlerësimin e tij për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh në proceset integruese të Shqipërisë.

Biseda u ndal edhe në  mundësitë konkrete që ky fondacion ofron për rritjen e kapaciteteve administrative me trajnime pranë Bundestag-ut gjerman dhe në mbështetje të politikanëve, juristëve apo gazetarëve, në interes të plotësimit të njohurive të tyre rreth praktikave europiane, por edhe të promovimit të imazhit të Shqipërisë.

Zoti Kunze ftoi zonjën Topalli për një vizitë në Gjermani, ftesë të cilën Kryetarja e Kuvendit e mirëpriti me kënaqësi.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›