Kryetarja e Kuvendit takime me ambasadorët e Hollandës Danimarkës dhe Egjiptit.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka pasur sot një axhendë të ngjeshur takimesh me ambasadorë të akredituar në vendin tonë, të cilët përfundojnë mandatin e tyre në Shqipëri.
Në takime të veçanta, Kryetarja Topalli ka pritur ambasadorin e Hollandës, Sweder van Voorst tot Voorst, atë të Danimarkës, Niels Severin Munk dhe të Egjiptit, Refaat El Ansary, në prag të largimit të tyre nga vendi ynë.
Në takimet e përzemërta dhe miqësore, ambasadorët vlerësuan progresin e madh të bërë nga Shqipëria vitet e fundit, dhe përgëzuan për arritjet, veçanërisht në proceset e integrimit në BE dhe NATO.
Duke falënderuar amabasadorët për mbështetjen e vendeve të tyre dhe kontributin personal në zhvillimet pozitive në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit shprehu vullnetin e qeverisë dhe parlamentit shqiptar në vijim e reformave kurajoze që do të shkurtojnë akoma më shumë rrugën e integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike. Këto reforma, tha ajo, kanë bërë që Shqipëria të jetë gati për fazën e fundit integruese.
Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, ambasadori i Hollandës, Voorst tot Voorst shprehu kënaqësinë e tij për gjithçka që Shqipëria ka arritur vitet e fundit, duke shtuar se hapat e ndërmara drejt BE-së dhe NATO-s janë shumë domethënëse. Ambasadori danez shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur Shqipërinë në të gjithë proceset integruese si dhe për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dy palësh.
Kryetarja Topalli falënderoi edhe për ndihmën që qeveria e Hollandës jep në rritjen e kapaciteteve administrative në Shqipëri, duke përmendur bashkëpunimin më të fundit me Kuvendin e Shqipërisë për dhënien e bursave të studentëve shqiptarë në Kolegjin Europian të Bruge.
Në takimin me ambasadorin e Mbretërisë së Danimarkës, Zotin Niels Severin Munk, ambasadori i transmetoi Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës së Danimarkës.
Pasi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e ngrushtë mes dy vendeve, ambasadori Munk konfirmoi se qeveria e Danimarkës do të vijojë të mbështesë në mënyrë të plotë e të gjithanshme Shqipërinë, në rrugën e saj integruese.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që shteti danez i ka dhënë Shqipërisë, si dhe për përkrahjen në procesin e integrimit evropian të vendit.
Në takimin me ambasadorin e Egjiptit, zoti El Ansary tha se:
Ndihem shumë i lumtur, që kam pasur nderin dhe kënaqësinë të punoj me personalitete si ju dhe të shoh transformimin e jashtëzakonshëm që ka bërë vendi juaj në vitet e fundit. Shqipëria është vendi im i dytë dhe me kthimin në vendin tim do të jem një ambasador i Shqipërisë në Egjipt.
Kryetarja e Kuvendit i shprehu ambasadorit të Egjiptit falënderimet për kontributin e tij dhe të vendit që përfaqëson, në rritjen në një nivel shumë të mirë të bashkëpunimit, si dhe ndihmën që Egjipti ka dhënë veçanërisht në trajnimin e dhjetra punonjësve të administratës shqiptare, çdo vit në fusha si ajo e rendit, dogana, banka, diplomaci e marrëdhënie publike.
Në takimet me ambasadorët biseda u ndal edhe në nxitjen e mëtejshme të marrëdhenieve dypalëshe dhe në bashkëpunimin në fusha konkrete si ekonomi, shkëmbime tregëtare, infrastrukturë e turizëm.