E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standardi i parë për dhënien e titullit të pronësisë



Pika 1 e nenit 9
Kur KV-ja, gjatë verifikimit të dokumentacionit vëren se titulli i pronësisë mbi tokën është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4, të kreut I, të këtij ligji, dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe shfrytëzon tokën faktikisht, nëse nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë, i ofron mbajtjen në pronësi të tokës bujqësore dhe ligjërimin e titullit të pronësisë, kundrejt detyrimit për ta paguar atë, në masën e plotë të vlerës, të llogaritur me çmimet, sipas hartës së vlerës së tokës, pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës (AKKP), bazuar në Vendimin nr.183, datë 28.4.2005, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, «Për miratimin e metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme, që kompensohet, dhe asaj, që do të shërbejë për kompensim». Në këtë rast, KV-ja merr vendim për pajisjen e tij me dokumentacion të ri ligjor. Vendimi i dërgohet, brenda 10 ditëve, SAMT-së në qark, i cili harton aktin e marrjes së tokës në pronësi, brenda 30 ditëve nga dita e mbërritjes së këtij vendimi.

Standardi i dytë për dhënien e titullit të pronësisë
Pika 3 e nenit 2
Familjet fshatare ose individët, që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë, në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.

Standardi i tretë për dhënien e titullit të pronësisë

Pika 4 e nenit 9
Çdo sipërfaqeje tokë që i konfirmohet njohja e pronësisë, do t’i njihet dhe e drejta e kompensimit fizik për subjektet e shpronësuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave dhe zyrat rajonale të saj.

Objekti i dhënies së tokës në pronësi

1. Kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë privatë mbi tokën, të krijuar:
a) sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore”, dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.
b) sipërfaqe të tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjen në fuqi të Ligjit nr.8337, datë 30.4.1998, “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”.
c) sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.
2. Nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991, nuk kanë figuruar në regjistrat kadastrale në zërin “Tokë bujqësore” si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore, pas kësaj date.

Institucionet, si do të verifikohen tituj e pronësisë

Komisioni Qeveritar i Tokës funksionon pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri ku funksionon edhe një sekretariat teknik. Ky institucion që do të ngrihet do të drejtojë punën e komisioneve vendore që kanë të bëjnë me vendimet që do të merren, aktet, kontrolleve si dhe informacionit që do të mblidhet. KQT-ja do të marrë vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve, do të shqyrtojë ecurinë e verifikimit nga Komisionet Vendore për zbatimin e akteve të nxjerra gjatë periudhës së kryerjes së reformës së tokës nga ministri i Bujqësisë. Ndërsa Komisionet Vendore do të drejtojnë të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në zonat që ato mbulojnë. Këto komisione do të kontrollojnë direkt veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës. Gjatë këtij procesi, këto komisione vendore do të zgjidhin mosmarrëveshjet për kufijtë e tokës bujqësore si nëpërmjet rretheve, ashtu dhe nëpërmjet individëve.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›