Maqedonia larg NATO-s, SHBA-të garantojnë sigurinë
E vetmja që doli e humbur nga Samiti i NATO-s në Bukuresht ishte Maqedonia, së cilës iu refuzua dhënia e ftesës për anëtarësim në Aleancën Atlantiko-Veriore. Delegacioni maqedonas e braktisi Samitin duke u shprehur se nuk ishte e nevojshme të ishin të pranishëm për shkak të mosmarrjes së ftesës. Pas këtij veprimi Uashingtoni ka dhënë mbështetjen për garantimin e sigurisë së Maqedonisë. Gjatë dy javëve të ardhshme do të nënshkruhet një marrëveshje speciale bilaterale mes SHBA-ve dhe Maqedonisë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski, së shpejti do të udhëtojë për në SHBA, ku do të merren vesh detajet e marrëveshjes. Keqardhje për mosmarrjen e ftesës nga Maqedonia shprehën autoritetet më të larta ndërkombëtare, por edhe qeveria greke, që shkaktoi këtë situatë. Mesazhi që u dërgua ishte zgjidhja e çështjes së emrit dhe më pas Maqedonia do të ishte e lirë të bashkohej me Aleancën. Për herë të parë ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, bëri të ditur se çfarë emrash do të pranonte Athina për të zgjidhur debatin gati 15-vjeçar me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. “Greqia do të pranonte Maqedonia e Re ose Maqedonia e Epërme”, - tha Bakojanis gjatë një interviste. Ndërkaq, zëdhënësi i qeverise greke nuk ka ngurruar të justifikojë veprimin e Greqisë për veton ndaj Maqedonisë në Samit. Sipas tij, Greqia nuk ishte e vetmja që kundërshtoi marrjen e ftesës së Maqedonisë. Keqardhje për Maqedoninë shprehu sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer. Ai sqaroi se “jo gjithçka mbaron këtu”. Sipas Sheferit, teksti i deklaratës së plotë të vendimeve zyrtare të marra është ende në hartim e sipër. “Do të doja të kishim 3 ftesa. Por është çështja e emrit të Maqedonisë që e shkaktoi këtë. Mund të them se ka inkurajime për Maqedoninë”, - u tha gazetarëve maqedonas Shefer. Edhe presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, shprehu keqardhjen e tij për Maqedoninë që nuk mundi të marrë ftesën për në NATO dhe bëri thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë të emrit. “Çështja e emrit duhet të zgjidhet shpejt”,-deklaroi presidenti Bush.
4 Prill 2008