Anëtarët e KLD-së, kritika Topit: S’po ushtron siç duhet detyrën, bojkotoi mbledhjen që vetë e thërriti

Kreu i shtetit refuzoi të ulej në panelin e gjyqtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku do të diskutohej rreth akuzave politike të PS-së ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Apelit
Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe pse ishte lajmëruar nga titullari i këtij institucioni, Presidenti i Republikës Bamir Topi, ky i fundit refuzoi të merrte pjesë. Kreu i shtetit s’pranoi të ulej në palin e gjyqtarëve të KLD-së, të cilët do diskutonin rreth akuzave politike të Partisë Socialiste ndaj 8 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Apelit. Mos prania e presidentit të Republikës, autoritetit më të lartë të KLD-së, kompetencë që ia jep Kushtetuta, është interpretuar në rrugë të ndryshme nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Anëtarja e KLD-së, Lefteri Lleshi, replikoi për mungesën e Presidentit të Republikës njëherësh Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në këtë mbledhje. Duke iu referuar njoftimit zyrtar për mosprezencën e Presidentit Topi, anëtarja e KLD-së, Lleshi, kritikoi Kreun e Shtetit se nuk po ushtron si duhet detyrën e tij, dhe këtë ajo e argumentoi me mungesën e zotit Topi në mbledhjen e thirrur prej tij. Ndërkohë pas replikave me nënkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiu, zonja Lleshi i kërkoi këtij të fundit të rishikojë pozicionin e tij, pasi sipas saj, nënkryetari Spahiu po bën deklarata politike. Zëvendësministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi ka bërë thirrje që KLD të mos bëjë deklarata politike. Kjo sipas Kasmit vjen nga fakti se nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu është përfshirë politikisht në deklaratat e Aleancës Kuq e Zi kundër ligjit për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk arriti të unifikonte një qëndrim standard për të dënuar akuzat dhe veprimet denigruese të Partisë Socialiste ndaj sistemit gjyqësor në vend. Z.Spahiu s’qe në gjendje të përcillte mesazhin e institucionit të lartë të Drejtësisë në mënyrë që Partia Socialiste të ndalë valën e akuzave ndaj 8 gjyqtarëve, edhe pse në letrën që trupa gjyqësore i adreson kreut të shtetit dhe selive diplomatike në Tiranë, ka qenë pikërisht marrja e rolit mbrojtës nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjë që nuk u vërejt, madje përkundrazi KLD u distancua.
KLD: S’i mbrojmë gjyqtarët, kanë dopio-imunitet
“Përveç imunitetit që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë nga Kushtetuta, ata kanë edhe atë të dhënë nga konsensusi politik mes palëve, prandaj Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë kontrolli ndaj tyre”. Kështu deklaroi nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në një konferencë të posaçme për shtyp, në fund të mbledhjes së sotme ku është marrë në shqyrtim ankesa ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Sipas tij, këtyre të fundit, politika u ka garantuar një mbrojtje me dopio-imunitet. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi shqyrtoi ankesat ndaj gjyqtarëve të Kolegjit, ka vendosur që të distancohet ndaj çdo lloj akuze që drejtohet ndaj tyre, duke i kërkuar çdo lloj faktori politik që t’i drejtohet Prokurorisë”- tha ai. Duke shtuar më tej, se KLD distancohet nga çdo lloj denigrimi ndaj figurës së gjyqtarëve, për të cilët nuk ka prova apo të dhëna. “Partia Socialiste duhet t’i bazojë në fakte dhe prova akuzat e saj ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor është një institucion, anëtarët e të cilit janë zgjedhur nga të dyja forcat politike, si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga Partia Socialiste. Kjo e fundit, së bashku me mazhorancën, e ka dhënë konsensusin për ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët aktualë të këtij institucioni”- sqaroi Spahiu.
Nga ana tjetër zv/ministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi kërkoi shmangien e sulmeve politike ndaj gjyqtarëve dhe anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Kujtojmë që në këtë mbledhje të KLD-së mungoi titullari i saj, presidenti i Republikës, Bamir Topi. Përmes një deklarate për shtyp të zëdhënëses së tij, Mimoza Koçiu, prania e sotme e Presidentit në mbledhjen e KLD-së nuk ishte e nevojshme, pasi kjo sipas tij, kishte në diskutim një çështje me karakter teknik.