Niset misioni trajnues i Policisë shqiptare në Kabul, Berisha: Qeveria do mbështesë efektivat e policisë
5 trajnues të policisë shqiptare, janë përcjellë sot për një mision paqeruajtës në Afganistan. I pranishëm në këtë ceremoni nisjeje ka qenë edhe kryeministri Berisha, i cili ka shprehur mbështetjen e qeverisë për këto forca. Po ashtu kreu i qeverisë shprehu besimin se policët shqiptarë, do të përmbushin me sukses misionin e ndërmarrë. “Qeveria do të bëjë çdo gjë për suksesin e veprimtarisë së efektivave shqiptare trajnuese në Kabul si edhe mbështetjen gjithnjë e më të madhe ndaj Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrimeve ligjore”- tha kryeministri në ceremoninë e nisjes së misionit të paqeruajtësve në Afganistan. Ai e ka cilësuar këtë si një arritje të madhe të policisë shqiptare, duke shtuar se kjo vjen si rezultat i një performance të shkëlqyer në rritje të efektivave të Policisë së Shtetit. “Ne sot, përcjellim një grup prej 5 oficerësh në një detyrë të rëndësishme, detyrën e trajnimit të policisë afgane. Ky është misioni i parë paqeruajtës i policisë së shtetit shqiptar dhe përbën një arritje madhore. Qeveria do të bëjë gjithçka për mbështetjen në përmbushjen e detyrimeve ligjore”- u shpreh kryeministri Berisha. Në këtë ceremoni ka folur edhe zv/ambasadorja e SHBA, Deborah Jones e cila falënderoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin në Afganistan. Ajo informoi gjithashtu se turi i trajnuesve të policisë shqiptare do të jetë për një periudhë 6-mujore.
...