Anëtarët e KRRT-së Vlorë, listë me shkeljet e Gjikës
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Miratimi me shumicë votash i disa projekteve madhore nga ana e KRRT-së së Vlorës ka sjellë dje reagimin e anëtarëve që votuan kundër. Anëtarët e djathtë akuzuan kreun e KRRT-së, Shpëtim Gjika, se me forcën e kartonit po miraton projekte në mënyrë jo ligjore. Në mbledhjen e zhvilluar të premten, ata paraqitën kundërshtitë dhe vërejtjet e tyre për disa projekte si: rikonstruksioni i bulevardit të Vlorës, aksi Skelë-Uji i Ftohtë, unaza nga ambulanca deri tek shkolla e marinës, etj. Sipas tyre studimi dhe projekti i paraqitur nuk i ishte përmbajtur parametrave të miratuara nga anëtarët e KRRT-së më parë, duke shkelur ligjin e Urbanistikës. "Në mbledhjen e 24 shtatorit, Gjika na kërkoi fonde shtesë në këshillin bashkiak për projekte, për të cilat dje (e premte) arriti të marrë leje nga KRRT-ja, çka tregon shkelje të ligjit. Thënë ndryshe mbledhja e këshillit qe absolutisht e papërgatitur, pasi ende projektet nuk kishin kaluar për leje. Ne nuk besojmë që një zyrtar prej 6 vjetësh në krye të bashkisë nuk njeh procedurat ligjore", thuhej në deklaratën e anëtarëve të djathtë të KRRT-së, mes tyre dhe të LSI-së. Ata u pozicionuan kundër miratimit të disa projekteve, por ato morën "Ok" nga shumica në KRRT. Anëtarët e cilësuan të papranueshme mbështetjen vetëm tek forca e kartonit duke injoruar transparencën aq të domosdoshme. Institucioni i Prefektit i quajti të padrejta dhe ktheu përsëri vendimet e pjesës socialiste të këshillit të bashkisë, marrë në 24 shtator, për t'i hapur rrugë korrigjimit dhe formatimit ligjor të këtij institucioni vendor. "Mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak mund ta thërrasë i vetmi kryetar legjitim i këtij këshilli, Arben Sinani, çdo ftesë nga gjithkush tjetër është joligjore dhe e papranueshme nga ne", shprehen ndër të tjera anëtarët e KRRT-së. Ata i bënë thirrje kryebashkiakut të njohë dhe të zbatojë ligjin, të respektojë pavarësinë e institucioneve, si dhe të orientohet drejt dhe shpejt për të shkuar te zgjidhjet që ky qytet ka shumë nevojë. Po dje, Niko Dumani, drejtor i ARM-së së Vlorës denoncoi disa shkelje të KRRT-së. Sipas tij, ajo ka dhënë leje ndërtimi në zona identitet të Vlorës, në Belvedere, me pjerrësi të terrenit 80 gradë, duke shkaktuar erozion, përmbytje dhe ndotje mjedisore të zonës. "Me vendimmarrje të gabuar, vendburimin e ujit të pijshëm të Vlorës në Ujin e Ftohtë, e ktheu në shesh ndërtimi, pa i paraprirë me rrjetin e ujërave të zeza duke rrezikuar ndotjen bakteriale, si dhe ka nxitur ndërtimet e mëtejshme pa leje", shprehet Dumani.
Abuzimet sipas anëtarëve të KRRT
*Shqyrtohen dhe miratohen sheshe dhe leje ndërtimi në një kohë kur për to ka pasur konflikte gjyqësore midis palësh
*Miratohen leje ndërtimi të paparashikuara e të pashqyrtuara nga Këshilli Teknik i KRRT, për shtesat në projektet problematike te rikonstruksionit të rrugëve e blloqeve të banimit
*Intensiteti i madh i ndërtimeve në afërsi të Akademisë së Marinës
*Miratimi i shtesave të kateve apo shtesa anësore për objektet, pa kaluar akoma një apo dy muaj nga miratimi i lejeve të ndërtimit
*Është shkelur ligji duke miratuar leje ndërtimi dhe duke prishur në mënyrë arbitrare ndërtimet që janë në proces legalizimi
*Studimet për shumë sheshe janë të pafirmosura nga kreu i KRRT-së
*Paraqiten sheshe ndërtimi që janë kompetencë e KRRTRSH-së dhe jo e KRRT-së
*Ka shfuqizime lejesh ndërtimi jashtë kompetencave ligjore te KRRT-së