Klandestine në autobusin e Athinës
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Prangoset shoferi i autobusit të linjës së Greqisë, i akuzuar për trafik klandestinësh. Katër femra dy prej të cilave të fshehura në bagazhin e autobusit, për pak sa kanë kaluar në mënyrë klandestine drejt Greqisë. Policia Kufitare ka arritur të izolojë lëvizjen e mëtejshme të tyre duke arrestuar në vend trafikantin klandestin. Ishte zgjedhur për të kaluar në mënyrë ilegale katër shtetase drejt Greqisë, autobusi i udhëtarëve i linjës Shkodër-Tiranë-Athinë, pronë e shoqërisë Albania Interlines me targa TR 3070 R. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, në Kakavijë, kur në bordin e autobusit udhëtonin drejt Greqisë katër femra të pa pajisura me dokumentacion dhe vizë greke. Personi që u kishte premtuar për t’i kaluar, është ndaluar nga uniformat blu. Ai është Zyber Coli, 41 vjeç nga Paskuqani i Tiranës, shofer i dytë i autobusit të linjës ndërkombëtare. Arrestimi në flagrancë i Colit erdhi pasi u vërtetua se ai kishte organizuar kalimin ilegal të vajzave kundrejt 1500 eurove për secilën. Coli duke përfituar se merrej me listat e pasagjerëve dhe bagazhet, kishte arritur të strehonte në pjesën e bagazhit të autobusit, dy shtetase, konkretisht E.V., 23 vjeç nga Kukësi dhe A.M., 18 vjeçe nga Berati duke i fshehur nga kontrolli i mundshëm i policive shqiptare e greke. Dyshimi në fakt erdhi nga prania e dy vajzave të tjera në sediljet e fundit të autobusit, të cilat pas kontrollit të policisë rezultuan se ishin pa dokumente duke u kërkuar të dilnin nga mjeti. Shtetaset A.GJ., 27 vjeçe nga Laçi dhe E.SH., 21 vjeçe nga Tepelena, të gjendura para faktit të kryer si dhe humbjes së shpresës për të kaluar në Greqi në mënyrë klandestine, deklaruan se për këtë shërbim ato kishin paguar nga 1500 euro për secilën tek shoferi i dytë e autobusit Zyber Coli. Pas kontrollit të ushtruar në bagazh, specialistët e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, arritën të zbulonin praninë e dy vajzave të tjera ku qëndronin të fshehura dhe të mbuluara me batanije. Për Policinë e Gjirokastrës Coli do t’i ndihmonte të katër femrat për t’i kaluar në Greqi kundrejt 6 mijë eurove dhe pazarin për këtë shërbim, e kishte kryer me bashkëshortët e këtyre shtetaseve, të cilët ishin me dokumente të rregullta dhe gjendeshin pasagjerë në autobusin që qarkullonte. Mësohet se fshehja e dy femrave, ndodhi në momentin kur autobusi iu afrua Kakavijës. Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale rezultoi se drejtuesi i parë i këtij autobusi nuk kishte dijeni për këtë ngjarje dhe u la i lirë duke vijuar rrugën për në Athinë së bashku me pasagjerët e tjerë. Policia nga ana e vet ka kryer të gjitha veprimet procedurale, duke arrestuar shtetasin e lartpërmendur për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.