E Diel, 1 Nëntor 2026

“Turqia, prioritet të politikës të jashtme mbështetjen për rritjen e vendeve që njohin shtetin e ri të Kosovës”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli pret në një takim Ministrin Ahmet Davutoglu


Kryetarja e Kuvendit priti dje në një takim Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu. Gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu  tha se, “Turqia është e interesuar për dinamizëm të bashkëpunimit parlamentar me Shqipërinë, pasi Parlamenti është shpirti i një kombi”. Gjithashtu Ministri Davutoglu i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta nga Kryetari i Asamblesë së Turqisë, Mehmet Ali Sahin duke shtuar se marrëdhëniet historike mes dy vendeve kanë njohur gjithnjë e më shumë rritje dhe tashmë fokusi do të jetë bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik. Duke vlerësuar si shumë domethënëse mbështetjen e Turqisë, veçanërisht në partneritetin në NATO, Kryetarja e Kuvendit tha më tej se, “Bashkëpunimi ndërparlamentar  ka nisur të marrë një dimension të ri, duke e bërë diplomacinë parlamentare komplementare të diplomacisë ekonomike. Vetëm në katër vitet e fundit shkëmbimet ekonomike me Turqinë janë katërfishuar”. Duke shprehu besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në infrastrukturë, telekomunikacion dhe gaz, por edhe në arsim e kulturë, ndërsa Ministri Davutoglu shprehu interesin e Turqisë për të nxitur më tej rritjen e numrit të investimeve turke në Shqipëri. Gjatë bashkëbisedimit Ministri Davutoglu vlerësoi vizitën e Kryetares së Kuvendit në Turqi dhe të Kryetarit të Asamblesë turke në Shqipëri si një nxitje për konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh. “Atmosfera miqësore mes dy vendeve, numri i madh i qytetarëve turq,  por edhe i një numri deputetësh me origjinë shqiptare në parlamentin turk ka ndikuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shpreh Ministri Davutoglu. Duke u ndalur në politikën rajonale, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme të Turqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Ministri Davutoglu theksoi se, “Turqia ka në prioritete të politikës së saj të jashtme vijimin e  mbështetjes për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin e ri të Kosovës”. Duke shprehur kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit parlamentar, Kryetarja e Kuvendit tha se mirëpret në një vizitë të afërt Kryetarin e Asamblesë turke, ndërsa shprehu bindjen në thellimin e  bashkëpunimit konkret edhe mes komisioneve të jashtëm dhe komisioneve të tjera reciproke.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›