Vret bashkëfshatarin për kullotat e bagëtive
KORÇE - Vret bashkëfshatarin pas konfliktit për kullotat. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:30 në fshatin Podgorie të Korçës, viktimë e së cilës mbeti 60-vjeçari Reshat Hadri. Ai u vra pas një debati me fqinjin e tij, Shefqet Goroveci. Ky i fundit pas konflikteve të vazhdueshme me Hadrin ka marrë një armë qifte, me të cilën e ka qëlluar. Me gjithë ndihmën e dhënë nga ana e të afërmve të tij, 60-vjeçari nuk ka mundur t'i mbijetojë plagës së shkaktuar nga saçma e çiftes. Policia e Korçës e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti në fshatin Podgorie dhe kreu të gjithë veprimet e duhura procedurale. Në sajë edhe të dëshmive të banorëve e të afërmve të viktimës, brenda pak minutash u identifikua autori i vrasjes, i cili rezultoi të jetë 50-vjeçari Goroveci. Sipas dëshmitarëve, ai u largua në drejtim të paditur menjëherë pasi kreu krimin. Policia e Korçës u vu në ndjekje të tij për ta arrestuar, pasi dyshohej se ai mund t'i drejtohej malit të Ivanit, në të cilin ka mjaft shpella e vende të tjera të favorshme për t'u fshehur. Disa orë pas krimit, blutë arritën të lokalizonin vendndodhjen e autorit të dyshuar për vrasje. Ai ishte drejtuar pikërisht nga mali Ivan, por blutë e arrestuan sa ende nuk ishte futur në thellësi të tij. Në sajë të hetimeve të kryera nga ana e policisë rezultoi se fiset Hadri dhe Goroveci i kishin pronat ngjitur me njëra-tjetrën. Prej shumë kohësh ata ishin në konflikt pasi bagëtitë futeshin në kullotat respektive. Pikërisht për këtë shkak janë konfliktuar edhe Reshat Hadri dhe Shefqet Goroveci. Ky i fundit pas debatit ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka marrë çiften. Më pas ai ka pritur 60-vjeçarin Hadri duke e vrarë në një nga rrugët e fshatit. Blutë e shoqëruan Gorovecin drejt komisariatit të Korçës, ku për disa orë u mor në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur. j.gj