Marrëveshja Shqipëri – Turqi, hiqet pagesa për vizat hyrës
Ilir Meta takohet me homologun e tij turk Ahmet Davutoglu
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Prof. Dr. Ahmet Davutoglu, në kuadrin e një vizite zyrtare në Shqipëri. Dy homologët, shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, i cili do të vazhdojë me shkëmbime të tjera të rëndësishme gjatë këtij viti mes dy vendeve, sikurse është vizita në Shqipëri, në fillim të muajit dhjetor 2009, e Presidentit të Turqisë Abdullah Gül. Një vend të rëndësishëm gjatë bisedimeve, zuri edhe thellimi i bashkëpunimit midis dy ministrive të jashtme si në nivelin bilateral, ashtu edhe në nivelin rajonal dhe atë ndërkombëtar, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.
Arritje e rëndësishme dhe konkrete e këtyre bisedimeve ishte vendimi i përbashkët për përfundimin dje, me shkëmbim notash, të Marrëveshjes ndërmjet dy Qeverive respektivë për heqjen pagesës së vizave për shtetasit shqiptarë e turq.
Meta vlerësoi në veçanti dinamikën e re që kanë marrë shkëmbimet ekonomike e tregtare midis dy vendeve si dhe shumëfishimin, gjatë 4 viteve të fundit, të investimeve turke në Shqipëri. Ai gjithashtu, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të forcuar bashkëpunimin veçanërisht në fushat e shëndetësisë, arsimit, kulturës, turizmit e transportit.
Davutoglu, i cilësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve të përkryera dhe shprehu vullnetin e Qeverisë turke për të thelluar bashkëpunimin diplomatik dhe për të nxitur më tej investimet turke në Shqipëri, të cilat, sikurse u shpreh ai, janë në nivelin e rreth 1 miliard US dollarë.
Pas takimit në një konferencë të ëprbahskët për shtyp, Ministri Meta u shpreh se, “Ishte kënaqësi që vetëm një javë pas takimit tonë në Stamboll, të takoheshim në Tiranë dhe të bisedonim për të gjitha fushat e bashkëpunimit të shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Turqisë, i cili po njeh një dinamikë të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit. Jemi të kënaqur për shumëfishimin e investimeve turke në Shqipëri në një kohë të shkurtër, dhe rritjen e ndjeshme të shkëmbimit tregtar dhe ekonomik. Po kështu është në lajm shumë i mirë, për të gjithë qytetarët tanë, që ne kemi rënë dakord të hiqet pagesa për vizat, e cila është jo vetëm një kosto financiare, por mbi të gjitha edhe një barrierë psikologjike”.
Ndërsa Ministri turk Davutoglu, gjatë fjalës së tij i shprehu falënderimet për ftesën, Ilir Metës.
“Mund të thuhet se marrëdhëniet tona janë në nivel të përkryer. Mes nesh nuk ka asnjë problem. Ne si dy ministra të punëve të jashtme, duhet të bëjmë akoma më tepër për t’i zhvilluar më tej këto marrëdhënie. Si një dhuratë e bukur në këtë ditë pushimi për të gjithë shtetasit shqiptarë, ne vendosëm që të hiqen të gjitha pagesat për vizat. Marrëdhëniet politike janë në një nivel shumë të mire. Duke vijuar më tej që vazhdojmë më tej vizitat e nivelit të lartë. Në muajin dhjetor do të vijë në Shqipëri Presidenti ynë, dhe siç jeni në dijeni, në muajin qershor, këtu në Shqipëri erdhi Kryeministri ynë”, tha Davutoglu.
Më tej ai tha se marrëdhëniet ekonomike po ecin mjaft mirë, sot ato janë në nivelin e rreth 1 miliard dollarë ndërsa vëllimi i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona, është rreth 350 milionë dollarë. Por duhet të ketë një hop akoma më të madh me fillimin e funksionimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Jemi të vendosur t’a forcojmë bashkëpunimin edhe në fushën e transportit, turizmit dhe të arsimit. Do të ketë një bashkëpunim më të vrullshëm edhe në fushën e kulturës dhe midis dy universiteteve.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, i pyetur rreth ratifikimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Maqedonisë për kufijtë, u shpreh se, “Përshëndesim fuqimisht këtë marrëveshje midis Kosovës dhe Maqedonisë. Është një marrëveshje në interes të dyanshëm dhe akoma më tepër në interes të Kosovës, si një shtet i ri që po afirmohet gjithnjë e më shumë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Është një tregues mirëkuptimi midis dy vendeve dhe një sinjal për stabilitetin afatgjatë në rajon”.