Vrasja e 18-vjeçarit, marshim në heshtje i maturantëve
VLORË/ Të afërmit e viktimës kërkojnë marrjen si të pandehur dhe të dëshmitares okulare të krimit
VLORË - Bluza të bardha, në të cilat ishte stampuar fotografia e 18-vjeçarit Armir Danaj, si dhe një parullë e madhe në të cilën gjithashtu ishte fytyra e tij.
Buqeta me lule të vendosura në vend ku maturanti u qëllua me thikë në zemër dhe një ecje e heshtur nga gjimnazi në skenën e krimit e më tej në banesën ku vijon të vajtohet djaloshi. Kjo ishte mënyra se si maturantët e gjimnazit "Ali Demi", mësues e shokë të 18-vjeçarit Armir Danaj, kanë vendosur ta nderojnë kujtimin e të riut i cili u ther në mes të rrugës.
Po kështu, marshimi i heshtur ishte edhe një dënim që u bëhet veprimeve të tilla që marrin jetë të rinjsh. Marshimi ka nisur pasi është dëgjuar zilja e fundit e mësimit. Shokët e klasës dhe të tjerë bashkëmoshatarë e shokë shkolle të Danajt, kanë kërkuar vënien në vend të drejtësisë.
Në heshtjen e tyre, veç Arsi Dajlanit, ata kanë akuzuar edhe nënën e vajzës 18-vjeçare, e cila ishte në vendngjarje në momentin e kryerjes së krimit. Sipas nxënësve, gruaja ka qenë një katalizator për kryerjen e vrasjes nga ana e Dajlanit. Sipas tyre, të gjithë ata që në bashkëpunim me njëri-tjetrin morën jetën e 18-vjeçarit, duhet të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënim maksimal.
Xhaxhai i Armir Danajt, duke folur para mediave u shpreh se kërkojnë që drejtësia të dënojë të gjithë personat e përfshirë në krimin që preu në mes jetën e 18-vjeçarit. Gjithashtu, një thirrje e veçantë u bë për dënimin rëndë të krimeve të tilla.
E ndërsa maturantët tubonin në marshin e lotëve, Arsi Dajlani, 18 vjeç, i pandehuri për vrasjen e Danajt ndodhej para togave të zeza. Teksa akuzohet për vrasje, për djaloshin u vendos masa e sigurisë e "arrestit në burg".
Mësohet se në sallën e gjyqit nga mbrojtja nuk ka pasur kundërshtime lidhur me masën e marrë, ndërsa 18-vjeçari do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Ndërsa mamaja e së dashurës së tij, e cila nga të gjitha palët shihet si nxitëse e këtij krimi, është marrë disa herë në pyetje, por ende ndaj saj nuk ka ndonjë akuzë. Familjarët e 18-vjeçarit Danaj kërkojnë që edhe ajo të dënohet nga drejtësia.
Armir Danaj ndërroi jetë teksa u qëllua tri herë me thikë në zemër nga Arsi Dajlani, pas një konflikti lidhur me të dashurën e këtij të fundit, e cila ishte ish-e dashura e viktimës. E ëma e vajzës ishte e pranishme në vendngjarje.