E Diel, 1 Nëntor 2026

Lahet në liqen, i ndalon zemra 18-vjeçarit

POGRADEC - Një 18-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht në ujërat e liqenit. Endri Bektashi, nga fshati Rëmenj, ka qenë duke u larë, teksa është futur në ujë pa mundur të dalë më.


Ende nuk janë zbardhur detajet e ngjarjes, ndërsa dyshohet për një atak kardiak. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së djeshme. Disa shokë të një klase të shkollës së mesme kanë marrë një varkë me qira dhe kanë vendosur të bëjnë një shëtitje në liqen.


Pasi kanë vozitur në drejtim të thellësisë së liqenit, dy prej të rinjve janë zhveshur dhe janë hedhur nga varka për t'u larë. Pas zhytjes së tyre, në liqen është hedhur edhe Bektashi.


Por ndërkohë që dy shokët e tij pas zhytjes kanë dalë në sipërfaqen e liqenit, 18-vjeçari nuk është dukur më. Si rrjedhojë, ka filluar kërkimi i tij në liqen dhe sapo është nxjerrë prej ujit është çuar me urgjencë në spitalin e qytetit, por zemra e tij kishte pushuar së rrahuri.


Mendohet që 18-vjeçarit t'i ketë pushuar zemra pasi uji i liqenit është ende i ftohtë dhe ende nuk ka filluar plazhi. Autopsia pritet t'i japë edhe përgjigje të saktë dyshimeve për vdekjen e tij. Bektashi shënon rastin e parë të mbytjeve për këtë vit në liqen, ndërkohë që vitin e shkuar tetë vetë ndërruan jetë në ujërat e ftohta të Ohrit.

Incident në port, aksidentohet shoferi i kamionit


DURRËS - Një shofer ka rrezikuar të ndërrojë jetë dje në portin e Durrësit, teksa një nga kontenierët që vinçi po ngarkonte i ka rënë mbi kabinën e automjetit ku ndodhej. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme. 59-vjeçari Pirro Gogo është dërguar menjëherë në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.


Mësohet se gjatë manovrave të vinçit të ngarkim-shkarkimit të kontenierëve në këtë port, një kontenier ka rrëshqitur duke marrë me vete edhe katër të tjerë e duke rënë mbi kabinën e kamionit "Man" që po ngarkohej. Shoferi Spiro Gogo u shtrua menjëherë në spitalin e Durrësit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.


Ndërkohë ka mbetur i dëmtuar rëndë kamioni i tij i transportit të peshave të rënda "Man" me targa DR 2101 D, të cilit goditja i ka ardhur nga lart dhe si rrjedhojë shoferi ka qenë thuajse i pambrojtur. Krahas tij është dëmtuar pjesërisht edhe një kamion transporti i një firme maqedonase me shofer shqiptar.


Kamioni ishte i tipit "Iveko" me targa të huaja ST 326 VK. Shoferi tha se gjatë manovrës së vinçit për marrjen e kontenierave, ka rrëshqitur njëra prej tyre dhe ka marrë me vete edhe të tjerat, të cilat kanë goditur kamionin e shoferit durrsak. Sipas mjekëve, 59-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.


Policia ndërkohë ka hapur një hetim mbi shkaqet e aksidentit dhe ka shoqëruar për në komisariat shoferin e vinçit të ngarkimit të kontenierëve për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë e aksidentit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›