E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e tretë dhe të katërt të GNV-ve, sot hidhet shorti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përcaktojë sot se cila prej partive do të ketë anëtarin e tretë dhe të katërt përmes procedurave të shortit që u miratua dje. Në short kanë të drejtë të marrin pjesë partitë parlamentare veç PD e PS, të cilat e kanë të përcaktuar qysh më parë që kanë anëtarin e parë dhe të dytë të GNV-ve. Edhe pse KQZ miratoi dje udhëzimin fillestar të paraqitur nga administrata e këtij institucioni, propozimet e ardhura nga PD dhe të mbështetura më pas nga një anëtar i komisionit sollën debate të ashpra mes përfaqësuesve politikë të partive, gjë që çoi në ndërprerjen e mbledhjes. Në mungesë të një konsensusi, kreu i KQZ-së propozoi që mbledhja të vijojë me diskutimin e draftit fillestar, i cili u miratua në fund. Përfaqësuesi juridik i PD-së, Njazi Kosovrasti, propozoi që shorti të hidhet përmes një tjetër mënyre dhe kjo sipas tij të bëhej për të shkurtuar procedurat. Kosovrasti propozoi që 66 KZAZ-të ndaheshin në tri grupe. Në grupin e parë, sipas tij, duhet të përfshihen KZAZ-të e Shkodrës, Durrësit, Vlorës dhe Elbasanit që kanë më shumë se 90 mijë zgjedhës. Ai tha që së pari të hidhet shorti mes këtyre katër KZAZ-ve mes katër partive. "Pastaj janë një grup i madh prej 40 KZAZ-ve me të cilat luhet me numër zgjedhësish nga 40 mijë - 50 mijë. T‘u japim mundësinë që ato të zgjedhin në këtë grup. Sigurohet shpërndarje pothuajse e barabartë. Janë 22 KZAZ-të me numër të vogël zgjedhësish. Të hedhim shortin dhe për ato dhe krijohen shanse të barabarta", tha Kosovrasti.

Propozimi i Kosovrastit u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesi juridik i LSI-së, Ilirian Muho, i cili kujtoi se nuk mund të ndryshoheshin ato çfarë janë përcaktuar tashmë në kod në një kohë kur pikërisht pika ku flitej për GNV janë pikat që kanë shkaktuar mjaft debate. "Nëse do të dëshironin t‘i bënin gjërat siç duhen mund ta kishin bërë se e kishin mundësinë. Tani është e përcaktuar me short. Ne e marrim përsipër rrezikun, por kjo që thoni ju është që përveç se keni anëtarin e parë dhe të dytë, tani të emëroni dhe anëtarin e tretë dhe të katërt", tha Muho. Pas shumë replikave mes Kosovrastit dhe Muhos, Ristani ndërpreu mbledhjen, por në mungesë të një konsensusi për të përfshirë propozimet, u miratua drafti fillestar. Në draft parashikohet që shorti do të hidhet për çdo KZAZ.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›