E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtari i Kushtetueses, konsulent i “kufijve”

TIRANE-Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori ka qenë këshilltar i jashtëm i grupit të ekspertëve shqiptarë që negociuan me palën greke marrëveshjen e kufirit detar. Lajmi është konfirmuar dje për “Gazeta Shqiptare” nga burime të Gjykatës Kushtetuese dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sipas tyre, ka qenë drejtoresha e Marrëdhënieve Juridike në MPJ, Ledia Hysi ajo që i ka kërkuar Zaganjorit që t’i ofrojë ekspertizë grupit që do të shkonte në bisedimet me palën greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve. Kjo kërkesë është pranuar nga ana e tij, edhe pse në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit dhe nenit 130 të Kushtetutës që sanksionon se, “qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private”. Konsulenca ligjore që Zaganjori i ka ofruar grupit negociator nuk ka lënë gjurmë në dokumentet zyrtare që shteti shqiptar ka protokolluar për këtë çështje, pasi anëtari i Gjykatës Kushtetuese ka qenë konsulent i jashtëm dhe jo pjesë e grupit negociator që bisedoi e nënshkroi me palën greke marrëveshjen e kufirit detar.
I pyetur nga Gazeta Shqiptare, Zaganjori tha se “në mënyrë absolute nuk kam qenë në dijeni të përmbajtjes së marrëveshjes dhe miratimit të saj deri ditën që në media u publikua një fakt i tillë. Me marrëveshjen jam njohur në detaje ditën kur është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesa ankimore".

Zaganjori tani do të duhet të shprehet me votë lidhur me faktin nëse pakti detar me Greqinë cenon apo jo sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë. Pra, ai duhet të votojë mbi produktin që ka nxjerrë vetë së bashku me 11 ekspertët e ngarkuar zyrtarisht për këtë qëllim. Dhe, në fakt ai ka votuar kundër marrjes në shqyrtim të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste, dhe gjithashtu kundër pezullimit të procedurave të ratifikimit të saj në Parlament. Ceshtja do shqyrtohet
zyrtarisht në datën 8 dhjetor, ora 10:00.
Nderkohe ne nje peticion online numri i firmave drejtuar Kuvendit per mosratifikim te Marreveshjes ka shkuar rreth 3 200.
Pakti
Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti u bë e njohur që pas publikimit të fakteve tronditëse nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Gazeta Shqiptare" ka qenë e para e përditshme në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009, faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pasha, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i lauruar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”. Në 28 shtator 2009, GSH botoi ekskluzivisht studimin prej 117 faqesh të kolonelit Pasha, sipas të cilit, nga kjo marrëveshje cënohej rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, që i dhurohej kësisoj Greqisë.
Edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.
Në datën 25 shtator, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por, në datën 15 tetor 2009, Parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje të "Gazeta Shqiptare", e cila për mbi 8 muaj me radhë po boton fakte dhe dokumente mbi këtë çështje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›