E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hapni kutitë”, sot PS proteston në Athinë

ATHINE-Protestat e opozitës me moton “Dua të shoh votën time” shkojnë edhe në Athinë. Pikërisht sot, në orën 15.30, emigrantë shqiptarë të organizuar nga dega e PS-së në Greqi, do të protestojnë përpara selisë ku do të mblidhen ministrat e Jashtëm si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të OSBE-së nga 56 shtete. Organizatorët kanë siguruar lejen e nevojshme nga autoritetet e Athinës për protestën e sotme, e cila organizohet qëllimisht në këtë datë, kur mblidhte ky forum i OSBE-së, organizata kryesore e cila gjykoi në fund zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri dhe bëri edhe rekomandimet përkatëse. Në këtë takim të nivelit të lartë merr pjesë edhe ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Opozita, nëpërmjet njoftimeve telefonike, por edhe përmes fletë-volanteve ka ftuar të gjithë emigrantët shqiptarë që të vijojnë protestën në zemër të Athinës për votën e lirë. Pjesëmarrësit janë lajmëruar të grumbullohen në Stacionin e Tramit dhe autobusëve Ajos Kozmas (përballë aerodromit të vjetër). Bëhet e ditur se në këtë protestë nuk do të ketë përfaqësues nga PS-ja në Shqipëri.

Pas protestës së fundit të opozitës në 22 nëntor, kryetari socialist, Edi Rama i la 10 ditë afat kryeministrit Berisha të hapë kutitë e votimit. Më pas ai paralajmëroi se do të përballet me protesta të pandalshme në të gjithë vendin. Mesdita e nesërme shënon edhe përfundimin e afatit që i është vënë Kryeministrit Berisha, i cili nga ana e tij nuk ka bërë asnjë tentativë për t’u ulur me opozitën, veçse ka shtuar dozën e akuzave dhe sulmeve personale ndaj kreut të PS-së, Edi Rama. Ashtu siç është vendosur edhe në mbledhjen e fundit të grupit të deputetëve socialistë, pritet që në datën 3 dhjetor deputetët të mblidhen sërish për të vendosur se cili do të jetë qëndrimi pas këtyre reagimeve të maxhorancës dhe kryetarit të saj. Po këtë ditë, vetë kryetari Edi Rama pritet të dalë me një deklaratë para publikut për të qartësuar këtë vendim të grupit parlamentar. Sindikatat, pensionistët, ish-ushtarakët, minatorët, paraplegjikët, etj, pritet të bëhen pjesë e protestave, të cilat do të kenë në qendër të tyre jo vetëm kërkesat ekonomike, por edhe atë për hapjen e kutive të 28 qershorit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›