E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e higjienës rrezikon jetën e 5- vjeçarëve në Shqipëri



Emanuela Sako

Mungesa e higjienës rrezikon jetën e fëmijëve 5-vjeçar, për shkak të prekjes nga disa sëmundje. Mosmbajtja e higjienës tek fëmijët mund të kthehet në një faktor të rrezikshëm për përhapjen e sëmundjeve infektive. Specialistët e shëndetësisë kanë studiuar këtë fenomen, duke sqaruar se kjo moshë është më e predispozuar për t’u prekur nga sëmundjet që vijnë nga një higjienë e dobët. Ndërkohë që kategoritë më të rrezikuara të shoqërisë janë pjesa vurnerabël e shoqërisë dhe disa komunitete që jetojnë në kushte të vështira ekonomike apo të pastrehët. Sëmundjet që prekin më shumë fëmijët e vegjël janë; diarreja infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, pneumonia, infeksionet akute, malaria etj. Sipas statistikave të OBSH-së, rreth 3.5 milion fëmijë në botë gjatë një viti humbasin jetën nga mungesa e higjienës, e cila kthehet në faktor të rrezikshëm dhe infektiv tek të vegjlit.
Raporti
Sipas një raporti të publikuar kohët e fundit nga MSH-ja, duke iu referuar të dhënave të specialistëve të OBSH-së, më shumë se 5.000 fëmijë vdesin në ditë ose 1.7 milion fëmijë vdesin çdo vit nga çrregullimet diarreike te fëmijët nën moshën 5 vjeç. Diarreja është shkaku i dytë i vdekjes së fëmijëve nën 1 vjeç. Nga diarreja dhe pneumonia çdo vit vdesin të paktën 3.5 milion fëmijë. Specialistët rendisin si shkaktar kryesor mungesën e higjienës, siç është dhe larja e duarve, të cilat mbajnë ndotje të ndryshme dhe fëmijët nuk janë në gjendje t’i parandalojnë vetë ato. Larja e duarve, sidomos në momente kritike si, përpara ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe mbas përdorimit të banjës mund të reduktojë deri në 50% diarrenë tek fëmijët nën 5 vjeç.
Kujdesi
Specialistët këshillojnë që prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm me fëmijët e tyre, duke përdorur ushqime të freskëta, të lara, rroba të pastra, të rriten në ajër të pastër ose larg vendeve të ndotura, t’u lajnë duart shpesh etj. OBSH-ja, ka bërë të ditur në raportin e saj se larja e duarve me sapun mund të reduktojë incidencën apo rastet e reja me infeksione akute respiratore në masën rreth 23 %. Sëmundjet më të shpeshta dhe të rrezikshme që shfaqen nga mungesa e higjienës është pneumonia, si pjesë e infeksioneve akute respiratore dhe është shkaku 1.8 milion vdekjeve tek fëmijët. Nga vëzhgimet që janë bërë në mbarë botën larja e duarve është në shifra të ulëta, në masën 34. Specialistët e konsiderojnë larjen e duarve si mënyrën e vetme dhe më të thjeshtë për të shmangur mjaft infeksione që shfaqen tek fëmijët. Specialistët theksojnë se gjatë gjithë kohës duart tona janë në kontakte me objekte nga më të ndryshmet, të cilat janë bartëse të shumë baktereve dhe mikrobeve. Gjatë prekjes këto baktere kalojnë në duart tona dhe mund te barten shumë lehtë nga një person tek tjetri, duke shkaktuar mjaft sëmundje ngjitëse si gripi, verdhëza etj. Shumë shpërthime epidemike apo sëmundje me origjinë nga ushqimet shkaktohen nga duart e palara. Nga bakteret dhe viruset që ndodhen në duart tona shkaktohen gripi, sëmundje pulmonare, hepatiti i formës A dhe shumë forma të diarreve. Specialistët bëjnë apel që komuniteti të ndërgjegjësohet me një kulturë të tillë të pastërtisë, atëherë pakësohen risqet, jo vetëm të diarresë, por edhe të sëmundjeve të rrezikshme, si kolera dhe dizenteria. Këto sëmundje do të reduktoheshin në masën 48-59%. Fëmijët janë më të prirë për t’u prekur nga çfarëdolloj sëmundjeje për shkak të imunitetit të dobët që kanë. Prandaj shpeshherë specialistët japin këshilla për kujdesin nga higjiena, të ftohtët, të nxehtët, për mbajtjen nën kontroll të të gjitha simptomave që shfaqen te të vegjlit. Përveç kujdesit vetjak që duhet të kenë ndaj të vegjëlve, mjekët këshillojnë ndjekjen e një axhendë mujore për kryerjen e vizitave dhe vaksinimit për fëmijët. Vaksinimi dhe kapja në kohë e sëmundjeve apo infeksioneve të ndryshme mund të parandalojë humbjen e jetës tek fëmijët. Në një pjesë të rasteve, infeksionet janë të vështira për t’u përcaktuar, prandaj dhe një pjesë e tyre humbasin jetën.

Përfitimet nga skema e re që po aplikohet në spitale
Shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore do të shërbejë për rritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor në të gjitha spitalet e vendit, nga e cila do të përfitojnë edhe pacientët. Pacientët do të marrin shërbim më cilësor dhe do të kenë mundësin të përfitojnë më tepër shërbime falas. Bëhet fjalë për ata pacientë që janë të siguruar. Shtrirja e skemës dhe autonomia e spitaleve presupozohet të sjellë më tepër të ardhura për qendrat spitalore, ku mendohet se nuk do të mungojnë përkushtimi i mjekëve dhe pajisjet për kryerjen e vizitave. Skema e re e sigurimeve shëndetësore u bë e njohur pak kohë më parë nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila deklaroi se ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit ai që do të lidhë kontratë me stafin. Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet me këmbëngulje disiplinë administrative, disiplinë financiare dhe disiplinë profesionale për të siguruar eficiencën e shërbimeve shëndetësore. Ministria e Financave ka rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, çka përbën një pikë themelore për funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin në spital. Kështu, një pjesë e problemeve në spitale do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se reformat do të aplikohen gradualisht, sipas rëndësisë së problematikës. Situata e vështirë në të gjitha spitalet e vendit tashmë është pranuar nga të gjitha autoritetet shëndetësore. Njëkohësisht dhe mungesa e specialistëve në disa zona, mungesa e ambienteve, aparaturave etj, do të sheshohen duke vendosur një standard të përbashkët në të gjitha spitalet. Kjo nënkupton që ai shërbim që do të qëndrojë i hapur në një nga spitalet e vendit, do të jetë brenda standardeve. Në këtë rast presupozohet që edhe në zonat e thella spitalet të kenë aq specialistë sa ç’është e mundur, por spitali do të jetë i pajisur me medikamentet dhe aparaturat e domosdoshme për të kryer diagnostikimin e pacientëve. Ndërsa për shërbimet që nuk ofrohen, pacientët janë të detyruar të shkojnë në spitalin më të afërt me rrethin e tyre. Sipas MSH-së, të gjitha këtyre praktikave dhe kontradiktave synohet t’u jepet fund këtë vit, me reformën e nisur për përfshirjen e 42 spitaleve në skemën e Sigurimeve Shëndetësore. Reforma synon rritjen e cilësisë së shërbimit në spitale, shtimin e pajisjeve mjekësore, shtimin e barnave etj.

Prejardhja e emrave që mbajnë rrugët e kryeqytetit
Bashkia e Tiranës ka emërtuar të gjitha rrugët e kryeqytetit edhe pse deri më sot janë evidentuar si zona informale. Zakonisht, rrugët mbajnë emra njerëzish të famshëm, që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit tonë. Por një pjesë e tyre janë emra të huaj, por që janë të njohur në të gjithë botën. Me sistemin e ri të adresarit, janë vendosur rreth 1238 emra rrugësh në të gjithë Tiranën. Specialistët e Bashkisë së Tiranës për trashëgiminë kulturore, bëjnë të ditur se këta emra mund të propozohen nga qytetarë të Tiranës, nga organizata të ndryshme, apo nga Akademia e Shkencave. Pasi bëhet propozimi pranë Bashkisë, ato diskutohen në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku anëtarët votojnë ose jo emrat e propozuar. Sipas specialistëve të Bashkisë, aktualisht ka ende propozime që paraqiten pranë këtij institucioni për emrat e rrugëve. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se tashmë ka përfunduar faza e dytë e projektit të adresarit, ku janë regjistruar dhe emërtuar të gjitha zonat dhe ndërtesat e kryeqytetit. Tashmë ky proces është në fazën e verifikimit në terren nga specialistët e njësive vendore, të cilët do të japin rezultatet përfundimtare të këtij procesi.

30 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›