E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtari i këshillit bashkiak, Petrit Vargu: Buxheti të jetë detajuar, në të kundërt nuk votohet

>Vargu shtron disa nga abuzimet e konstatuara në investimet e parashikuara në projektbuxhetin 2009  
Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryesisht ata të forcës së djathtë dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim,  nuk do ta votojnë projektbuxhetin e vitit 2009, deri në një detajim të saktë të tij. Një nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Petrit Vargu, ka bërë të ditur për gazetën SOT se për të miratuar projektbuxhetin e hartuar nga bashkia, duhet të merret parasysh përgjegjshmëria për kartonët që ngrihen, dhe mbi të gjitha për atë që miratohet në emër të qytetarëve. Sipas Petrit Vargut, anëtarët e këshillit bashkiak, të cilët i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk e aprovojnë buxhetin, pa u bërë më parë detaizimi më i saktë i tij, duke çuar kështu në një miratim në mënyrë të padetyruar. Kontestimet e këshillit bashkiak për buxhetin e bashkisë kanë qenë kryesisht përsa i përket abuzimeve të konstatuara për investimet në infrastrukturë dhe shkolla. Sipas konstatimeve të Vargut, nga takimet dhe konsultimet me qytetarët e Tiranës, të realizuara deri në mes të muajit nëntor të vitit të shkuar, rezulton se nga 62 rrugë e rrugica të parashikuara për rikonstruksion, gjatë gjithë vitit janë shtruar vetëm 3 prej tyre, ndërsa gjatë muajit të fundit u rregulluan 59 të tjerat.
Rrugët me zhavorr
Si këshilltar i zgjedhur për minibashkinë numër 10, Vargu ka vënë theksin në shqetësimin e banorëve të kësaj zone, të cilët brenda një muaji kanë parë të rregulluara rrugët dhe rrugicat e tyre vetëm me zhavorr. Sipas tij, banorët ankohen se këto rrugë i kishin më mirë më parë, sesa tani që rregullimi i tyre konsiston vetëm në një shtresë zhavorri, e cila në të vërtetë nuk është aspak e përshtatshme aq më tepër estetike për një qytet, apo me keq akoma kryeqytet. Vargu ka shtuar se ka pasur mjaft ankesa nga banorët për këto rrugë, e cila nuk mund të kalojë as në kryeqytet, jo më në Evropë. Unë mendoj se ka ardhur koha, që populli të mësojë të vërtetën, që drejtimi i bashkisë të mos bëjë mbrapa, si kthimi i llastikut pas një hapjeje të gjatë. Sepse Edi Rama nuk ka se ç ti ofrojë më gjëra të reja Tiranës dhe qytetarëve të saj, dhe nga stafi i tij që ka moton më mirë të ngjash se sa të jesh, ka deklaruar Vargu, i cili nuk ka lënë pa përmendur edhe problemin e thertores që kjo forcë e ka shfaqur disa herë, por që gjithnjë u është thënë se nuk ka asnjë vend brenda vijës së verdhë të Tiranës. Ne kemi ngritur problemin e thertoreve, pasi Tirana dhe Kabuli janë të vetmet qytete në botë që nuk kanë thertore. Ky është një problem që është shtruar edhe në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, pasi sëmundjet infektive janë rritur 2 deri në 3 herë më shumë. Mishi shitet jashtë çdo lloji kushti higjieno-sanitar. Çfarë do të ndodhte sikur mishi që momentalisht theret gati në të gjitha shtëpitë e kasapëve, të ishte i infektuar me antraks, gjë që do të thotë se kjo sëmundje i përhap sporet e veta në ambient. Nga kjo përhapje e tillë, sporet qëndrojnë për gati 40 vjet, ka nënvizuar Vargu, sipas të cilit  bashkia duhet të marrë masa të menjëhershme në mënyrë që të gjejë një ambient të përshtatshëm dhe kryetari i saj të mos gjejë justifikimin e radhës se nuk ka buxhet. Në qoftë se nuk janë të aftë, le ta japin më mirë me koncesion në privat, gjë që për të cilën duhet të hapin tenderin sa më shpejt. Ose, nëse do të ishte e nevojshme, thertorja të kthehej më mirë aty ku ka qenë para viteve 90-të, pranë stacionit të trenit, ka vërejtur Vargu, duke konstatuar se populli i ka zgjedhur anëtarët e bashkiakë për të transmetuar vullnetin e tyre nëpërmjet tyre. Rama duhet të ulet me ne dhe jo të na neglizhojë. Rama nuk ka pikë interesi. Në një vit e gjysmë ka ardhur vetëm 2 herë, vetëm çerek ore, sa për të folur para mediave, është shprehur Vargu. Por gjatë prononcimit të tij për gazetën tonë, një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhur me investime në rrugë, ka qenë dhe ai i lustrimit nga 2-3 herë të një rruge, duke shpërdoruar fondet e buxhetit të mëparshëm në mënyrë të dukshme dhe tejet abuzive. Shyqyri Bërxolli, Isalm Alla, Mujo Ulqinaku, Kristo K.Mema, janë këto rrugët, të cilat shtrohen një herë e më pas rishtohen, vetëm sepse kështu i pëlqen kryetarit të bashkisë. Jo vetëm kaq, por cilësia e punimeve lë për të dëshiruar brenda vonesës së afatit të përfundimit, ndotjes urbane, por edhe heqjes së shpejtë të asfaltit, ka cilësuar ndër të tjera Vargu, pa iu shmangur një tjetër problemi, siç është ai i ngrohjes në shkolla. Nëse Bashkia e Tiranës nuk e përballon dot ngrohjen në shkolla edhe për ato që ka rikonstruktuar vetë, sepse herë- herë asaj i intereson të përdorë pseudo kontratat që ka me PD-në, nga ku faktet tregojnë lidhje të forta që kalojnë në leje pallatesh, parkingjesh nëntokësore. Le ti përdorin këto marrëdhënie që kanë me PD-në, jo vetëm në dëm të popullit por edhe ashtu siç është kushtetuta në dobi të tyre, ka theksuar Vargu. Buxheti i Bashkisë së Tiranës, për vitin 2009 është rreth 54 miliardë lekë. Nga këto bashkisë së Tiranës i është dhënë mundësia të përdor edhe kreditë për vonesat që ka. Nga 55 anëtarë të këshillit bashkiak, 6 prej tyre janë të LS-së dhe që të gjithë, madje bashkë me ata të PD-së kanë votuar kundër këtij projektbuxheti, sipas tyre jotransparent.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›