E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Çumani kërkesë kryeministrit: Jetimët ti marrin falas kartat e identitetit

>Mospërfshirja e jetimëve me status në skemën e qeverisë për rimbursimin për pajisjen me kartat e identitetit ështëkundërshtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani. Qeveria shqiptare nëpërmjet deklaratës së kryeministrit Sali Berisha bëri publike se cilat janë grupet sociale të shoqërisë që do të përfshihen në skemën e rimbursimit për pajisjen me kartat e identitetit, duke përfshirë punonjësit e administratës publike, pensionistët, studentët dhe familjet me asistencë, ndërsa jetimët nuk dihet se përse nuk janë përfshirë në këtë skemë. Sipas Çumanit, është e papranueshme të përjashtohet nga skema e rimbursimit dhe të shpërfillet kjo kategori sociale e cila jeton nën minimumin jetik dhe në ekstremin e varfërisë, pa punë dhe pa familje. Mendoj se mund të jetë thjesht një lapsus dhe mungesë e vëmendjes e atyre që janë marrë me përcaktimin dhe klasifikimin e atyre grupeve që do të përfitojnë nga kjo skemë e rimbursimit, por assesi nuk mund të jetë një përjashtim i qëllimshëm apo diskriminim i kësaj kategorie. Madje, do të propozoja që për jetimët që gëzojnë statusin e jetimit sipas ligjit 8153, dt. 31.10.1996, ky dokument tu jepej falas, sepse numri i atyre që e gëzojnë këtë status është relativisht simbolik në krahasim me numrin e plotë të kategorive të ndryshme të jetimëve në Shqipëri, është shprehur Çumani. Dhe në të vërtetë kjo nuk e dëmton aspak xhepin e shtetit, pasi janë saktësisht 988 jetimë që nga viti 1999 që e gëzojnë këtë status, të cilët mund të përjashtohen tërësisht nga kjo taksë. Të rinjtë më status jetojnë në grupe dhe pa familje; jetojnë në kushte mizerabël si në geto, në mjediset e konvikteve të shkollave të mesme të kryeqytetit dhe në qytete të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Ata janë të pa punë, të pa strehë. Të ardhurat me asistencën që merr secili prej tyre nga shteti kapin vlerën prej 3000 lekë në muaj. Me këto të ardhura është e pamundur përballimi i kostos financiare për pajisjen e tyre me këtë dokument të rëndësishëm. Janë të rinj dhe të reja jetimë mbi moshën 18 vjeç, të cilët në ditën e votimit kanë të drejtë si të gjithë shtetasit e tjerë në Republikën e Shqipërisë ti drejtohen kutive të votimit për të votuar dhe për të shprehur vullnetin e tyre të lirë dhe të plotë sipas të drejtës që u jep kushtetuta e këtij vendi. Përveç kësaj, nëse nuk do të kenë në duar këtë dokument identiteti, kjo do ti penalizojë ata edhe më rëndë në të ardhmen, për shkak të pamundësisë në kryerjen e shumë veprimeve administrative në zyrat e administratës publike. Çumani ka theksuar gjithashtu se nëse qeveria do të marrë në konsideratë propozimin për të përjashtuar tërësisht nga taksa për pajisjen me kartë identiteti këtë kontigjent të jetimëve me status, këta të fundit duhet të riciklojnë dhe legalizojnë specimentin e firmës që ka nënshkruar dokumentin e Statusit të Jetimit pranë titullarit të Shërbimit Social Shtetëror, me qëllim për të shmangur rastet abuzive të përjashtimit nga taksa për pajisjen me këtë dokument të personave që nuk janë jetimë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›