Drogat në Shqipëri, 40 mijë përdorues, preferencat për substanca sintetike
>Numri i përdoruesve të drogës në Shqipëri ka arritur në rreth 40 mijë persona, ndërkohë që vëzhgimet dhe studimet e fundit konstatojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike të tipit amfetamina. Këtë e ka bërë të ditur vetë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo gjatë një takimi me temë "Droga, një shqetësim i përbashkët" organizuar nga ministria që ajo përfaqëson, në prani të disa OJF-ve si dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme.
"Impaktet negative të këtij fenomeni tashmë identifikohen qartë në aspektin social shëndetësor dhe ekonomik", tha shefi i Sektorit për problemet e Drogës dhe Alkoolit në MSH, Sokol Morina, sipas të cilit kjo situatë kërkon moblilizimin dhe bashkëpunimin institucional atë shoqëror dhe të shoqërisë civile në përgjithësi për një kundërvënie sa më të efektshme ndaj këtij fenomeni, kaq kërcënues. Sipas tij, kjo është pikërisht arsyeja e një pjesëmarrjeje kaq të gjerë në këtë takim, ku të pranishëm ishin krahas përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore, zv. ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore në vend, si dhe organizata jotimprurëse që operojnë në këtë fushë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha se "janë pikërisht këto situata serioze aktuale dhe vlerësimi ndaj fenomenit të drogës, aq të ndjeshëm për mbarë shoqërinë tonë, ato që na bashkojnë në këtë takim për të diskutuar rreth këtij fenomeni, për dinamikën në vendin tonë, për aksionet që janë ndërmarrë deri më sot dhe për objektivat që ne i vëmë vetes për të ardhmen". Sipas ministres Godo, aktiviteti i kontrollit të drogës në nivelin e parandalimit primar kryesisht me karakter edukativ dhe informues kanë përbërë pjesën dërrmuese të kësaj veprimtarie. Reduktimi i dëmit, si një filozofi e shëndetit publik ka gjetur dhe tek ne hapësirë në spektrin e përpjekjeve për kontrollin e drogës", ka theksuar Godo. Ndërsa nga ana e tij, zv/ministri i Brendshëm informoi të pranishmit lidhur me përpjekjet e kësaj ministrie për parandalimin e këtij fenomeni. I pranishëm në këtë takim, ishte dhe përfaqësuesi i Qendrës "Aksion Plus", i cili njohu të pranishmit me punën terapeutike që është bërë në këtë qendër, lidhur me përdoruesit e drogave.