E Diel, 1 Nëntor 2026

Reklamat gëlltitin autobusët urbanë, qytetarët vuajnë pasojat me sytë

>Pronarët e autobusëve injorojnë problemet e qytetarëve për shkak përfitimi  
Autobusët urbanë në kryeqytet më shumë janë një shqetësim dhe lodhje për kryeqytetasit sesa një zgjidhje për të udhëtuar në destinacionet e tyre, punë, shtëpi, shkollë, etj. Përveç pritjes në stacion për minuta të tëra, vjedhjeve të shumta në xhepa apo çanta, dyndjes së madhe etj., qytetarët prej disa kohësh duhet të përballen edhe me shqetësimin që u kanoset nga reklamat, të cilat veshin thuajse të gjithë sipërfaqen e autobusëve në disa linja të kryeqytetit. Përfitimi ekonomik i pronarëve të autobusëve nuk merr parasysh në këtë mënyrë shqetësimin që përjetojnë me shikimin qytetarët gjatë udhëtimit në autobus. Gjithçka bëhet për para, ndërkohë që udhëtarët, të cilët duhet thënë se në kryeqytet janë në numër të konsiderueshëm, duhet të sforcohen për të parë jashtë autobusit, qoftë edhe stacionin ku u duhet të zbresin. Reklamat e sponsorizuara nga firma apo kompani të ndryshme private, krijojnë një shtresë të tillë në brendësi të autobusit, e cila vështirëson shikimin jashtë, duke lodhur syrin e udhëtarit. Por për pronarët e linjave urbane, ky problem ndoshta mund të mos konsiderohet si i tillë, duke qenë se jo vetëm e kanë pranuar një ofertë të tillë, por madje vijojnë tu shërbejnë këtyre apo edhe firmave të tjera që preferojnë reklama të tilla edhe në autobusë. Më shqetësojnë reklama të tilla, por nuk kam se çfarë të bëj, sepse dihet që autobusët janë privatë, shprehet Donika, një qytetare 60- vjeçare, e cila udhëton shpesh, madje disa herë në ditë me autobusët e kryeqytetit. Por ajo nuk është e vetmja, që e mundon një shqetësim i tillë. Sapo dëgjojnë bisedën me të, dy burra pohojnë të njëjtin problem. Ndërkaq, si për të minimizuar këtë veprimtari, menaxheri i marketingut pranë Alba-Transport, Rixhin Qoshja, shprehet se jo të gjithë autobusët kanë reklama, përveç disave prej tyre që investohen nga firmat private, të cilat kanë interesat e tyre. Po ashtu, gjatë një vëzhgimi të bërë nga gazeta SOT, vihet re se autobusët e linjave, siç janë ato të Unazës dhe Tiranës së Re, janë thuajse të gjitha të veshura me reklama të shërbimeve të ndryshme.
Probleme të tjera në autobusët e kryeqytetit
Radhët e gjata të njerëzve zaptojnë stacionet e autobusëve. Ata shtohen pa masë me shpresë për të ardhur ndonjë urban i lirë. Furgonët mungojnë e kjo ka bërë që radhët e qytetarëve të shtohen më shumë. Më problematikët shfaqen linjat e Tiranës së Re dhe Unazës, pasi këto janë linjat që kanë edhe numrin më të vogël të autobusëve. Qytetarët ankohen për vonesat e panumërta të këtyre mjeteve të transportit të udhëtarëve, çka vështirëson pa masë lëvizjen e tyre. Ora 10:00 e mëngjesit të djeshëm. Asnjë autobus në linjë. Më shumë se 20 vetë qëndrojnë në stacionin e linjës së Unazës. Pritje 20 minuta radhazi. Më në fund duken urbanët e parë. Erdhi! Dëgjohet kështu britma entuziaste e një gruaje, ndërsa shfaqen në horizont tre autobusë radhazi. Të tre mbushen plot. Ajri i rëndë të zë frymën edhe pse është dimër. Njerëz në radhë, autobusë që vinin shumë rrallë, dhe trafik i rënduar që vështirësonte shërbimin urban. Kjo është pamja që serviret më shpesh në kryeqytet, kur njerëzit enden për të realizuar në kohë detyrimet e zakonshme. Por në autobus lekët nuk ti merr vetëm fatorinoja. Xhepistët janë një tjetër përbërës i ngushtë i lëvizjeve në linjat urbane, dhe problemi është se janë aftësuar shumë. Një pjesë e qytetarëve ankohet edhe për përdorimin e duhanit tamam si nëpër kafene, në këto autobusë që të merret fryma vetëm nga mbipopullimi i tyre e jo më gjithë kësaj rrumpalle ti shtosh edhe duhanin. Përveç të tjerash në transportin urban gjen me shumicë edhe manjakë seksi, çka shqetëson më shumë vajzat e reja. Ndërkaq nuk na mbetet veçse të presim! Nëse gjithçka shkon mirë, do të zgjidhet edhe problemi i mungesave pa arsye, gjithçka që ka të bëjë me lëvizjen e transportit urban.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›