E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarja e KOP, Tatjana Kongoli, shkarkohet nga detyra në Bankën e Shqipërisë

27/01/2005  

Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, ka firmosr vendimin e lirimit nga pun

Anëtarja e Komitetit të Orientimit të Politikave, pranë PD-së, Tatjana Kongoli, është shkarkuar nga detyra si asistente e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për Integrimin Evropian. Guvernatori Ardian Fullani ka firmosur shkarkimin e Kongolit, duke vlerësuar se ajo ka shkelur ligjin për funksionimin e Bankës së Shqipërisë. Vendimi ka ardhur vetëm një javë pas konstituimit të Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike. Anëtarësimi i Kongolit në këtë strukturë është cilësuar e papranueshme prej Guvernatorit të Bankës, i cili ka vendosur për lirimin e ish-drejtoreshës së Doganave nga detyra. Madje, asnjë ankesë e bërë prej Kongolit nuk ka ndryshuar mendjen e Fullanit, i cili përfundimisht ka kërkuar në rrugë zyrtare, prej Kongolit të lërë vendin e punës. Megjithatë, anëtarja e KOP e cilëson të papranueshëm dhe të paligjshëm shkarkimin nga detyra, duke u shprehur se do të ankohet në instancat më të larta, për të drejtën e saj. Burimet pranë Bankës së Shqipërisë kanë bërë të ditur se së fundi Fullani ka firmosur shkarkimin dhe të 12 funksionarëve të tjerë.

Kongoli

Në një prononcim për gazetën "Metropol", Kongoli shprehet se i ka ardhur një urdhër zyrtar për shkarkimin nga detyra, me argumentin se ka shkelur ligjin për bankën e Shqipërisë. Duke e cilësuar këtë si një vendim politik, ajo tha se gjithçka ka të bëjë me bashkëpunimin e saj me strukturën e KOP, që është i përbërë prej specialistëve në fusha të ndryshme dhe jo prej politikanëve. Ndaj, Kongoli bëri të ditur se do të kërkojë të drejtën e saj në të gjitha instancat ligjore, ku do të kërkojë rikthimin në detyrë.

Kongoli është thirrur në KOP prej strukturave të larta të PD-së për të dhënë kontribut në projektet për doganat në Shqipëri. Më parë Kongoli ka mbajtur postin e drejtorit të Doganave, të cilin e ka mbajtur rreth një vit. Në kurrikulumin e saj, Kongoli thekson eksperiencën pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku ka drejtuar financat për disa vjet. Në detyrën e asistentes për Integrimin, Kongoli është emëruar para disa muajsh prej Shkëlqim Canit, duke e vlerësuar këtë si një post të rëndësishëm, pasi vetë Shqipëria synon integrimin në BE.

Reagimi

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, në lidhje me shkarkimin nga detyra të Kongolit tha se "këto janë veprime të rënda, që militantët politikë, apo të urdhëruar nga zoti Nano, pjesë e administratës, mbajnë qëndrime ekstreme, aspak në nevojë për sa i takon administratës publike. Nëse vazhdon në këtë mënyrë për të atakuar çdo pjesë të Shoqërisë Civile dhe të inteligjencës që afrohet me opozitën dhe për të mundësuar dhe kontribuar për një program liberal-demokrat për qeverisjen e nesërme, unë mendoj se kjo dëshmon se qëndron shumë larg asaj që deklaron në publik".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›