E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e Qeverisë është përdorur si alibi e Nanos ndaj aleatëve

27/01/2005  Skënder Gjinushi kërkon 7 vota nga çdo anëtar partie. PSD do të arrijë në 10 për qind

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, në një intervistë për "Metropol" thekson se deklarata që ndryshimet në qeveri do të bëheshin vetëm pas analizës vjetore të ministrive kanë qenë vetëm një alibi. Sipas Gjinushit, ky ka qenë shkaku pse PSD nuk firmosi marrëveshjen e muajit dhjetor. Nga ana tjetër, kreu i PSD e vlerëson iniciativën e Gaqo Apostolit në PSD, duke kërkuar që dhe anëtarët e tjerë të partisë të zgjohen nga gjumi dhe të ndërmarrin iniciativa për rritjen e partisë.

Partia Socialdemokrate po përgatitet prej kohësh për zgjedhjet e vitit 2005. Motoja jonë është që duhet një rifitore e së majtës, këtu kuptojmë forcat që e përbëjnë atë si, PSD-në PS-në dhe forcat e tjera që vihen në shërbim dhe mbështetje të së majtës dhe qendrës. Në këtë kontekst, qëllimi ynë është që të mos ketë një rikthim të së djathtës në pushtet dhe që e majta të riqeverisë, duke përmirësuar më seriozitet rikthimin. PSD-ja është në fazën e organizimit të të gjithë strukturave të saj në dy hallka të reja, të cilat do të shprehen nominalisht. Është koordinatori i qendrës së votimit, ku do të ketë një grup për të bërë propagandë për të mbledhur vota dhe për të administurar procesin, pasi është nevoja e rikontrollimit të qelizave të PSD-së për të filluar organizimi i nëndegëve, i cili është shumë i rëndësishëm, pasi kjo strukturë është më operative në mbledhjen e votës. Socialdemokratët në këto zgjedhje do të punojnë për të rritur përqindjen e tyre në vendin që do të zërë përballë partive të tjera. Objektivi është për një rritje, e cila të kapë 10 përqindëshin. Kjo shifër bazohet në zgjedhjet e tetorit 2003, pasi kemi një organizim dhe në nivele qarku, për të koordinuar punën dhe në këtë nivel. Për të mobilizuar më mirë anëtarët tanë, ne jemi duke pajisur anëtarësinë më kartat e partisë. Kjo mënyrë organizimi ka një ndikim pozitiv dhe në riverifikimin, konsolidimin dhe zgjerim të kësaj anëtarësie. Çdo anëtar do të synojë të afrojë 7 vota për PSD-në në zgjedhjet e përgjithshme.

PSD-ja do të përgatisë listën me 100 kandidatë për deputetë, apo do të ketë dhe aleanca me parti të tjera?

Socialdemokratët po angazhohen që në zgjedhjet e pas pesë muajve të hyjnë me të gjithë arsenalin e tyre, me ekipe të kompletuara në kandidim dhe në të gjitha strukturat, pasi dhe kandidatët kanë rolin e vetë. Sigurisht që do të luftojmë për votë partie, pasi është kjo votë që përcakton fatin e PSD-së në jetën politike. Megjithatë, kandidatët kanë rol, pasi ndikojnë në imazhin e partisë. Në fushatë "çdo kope ka nevojë për një çoban" dhe kandidati është ai që vihet në krye të procesit së bashku me kryetarët e degëve dhe të nëndegëve. Ideja për të pasur një taktikë të përbashkët deri me kandidatë apo alternativa do punë, pasi sistemi në Shqipëri është tashmë i konsumuar, sepse ende nuk është parë ndonjë lëvizje nga ana e Partisë Socialiste dhe ka vetëm deklarime për të hyrë së bashku dhe për kohën në të cilën ndodhemi kuptohet që duhet një konkretizim i të gjitha çështjeve. "Të hjymë në zgjedhje së bashku si forca të majta, të hyjmë si aleatë të bashkëpunojmë në bazë për të çuar njerëzit në votime, për të dhënë mesazhe që ne nuk jemi të ndarë, por jemi përsëri të gatshëm të riqeverisim vendin mbi votat tuaja". Dhe qëllimi është i përbashkët: fitoren ndaj të djathtëve. Ky është angazhimi ynë dhe është i vetmi bashkëpunim që duhet të realizohet, sepse nuk mjaftojnë deklarimet politike as marrëveshjet e karakterit memorandum, por duhet të shprehet vullneti, dëshira fakti që jemi aleatë dhe jemi të gjithë të majtë dhe kemi një program të përbashkët. Kështu që elektorati do të na japë votën ne dhe jo ndonjë partie tjetër, që nuk dihet se me çfarë do të qeverisë, se në ç'krah është dhe nuk dihet për çfarë do të përdoret kjo votë. Elektoratit duhet t'i bëhet e qartë se vota për PSD-në është votë për të majtën, është një mandat i ri për koalicionin, por në kushte të reja. Ndryshimi në zgjedhjet e kësaj vere do të jetë në faktin se koalicionet do të ngrihen mbi baza reale.

Jo më larg se një javë, zoti Apstolit ka hedhur idenë e një lëvizjeje brenda PSD-së? A e dëmtojnë partinë tuaj këto deklarata të ish-nënkryetarit të partisë?

Nuk është nevoja për të ndërmarrë lëvizje brenda PSD-së, sepse me çfarë mbaj mend unë në deklarimet e zotit Apostoli e vetmja gjë që ishte konkrete synohej për dyfishim të elektoratit të PSD-së. Apostoli ka detyrimin si të gjithë ne të tjerët të punojë për zgjerimin e anëtarësisë socialdemokrate. Kështu që është mirë që dhe ata që nuk kanë lëvizur deri më tani të fillojnë të lëvizin për të dyfishuar elektoratin tonë.

Si i komentoni kritikat e Kryeminitrit Fatos Nano në analizën e qeverisë dhe veçanërisht ndaj përfaqësuesit tuaj në të?

Kritika ndaj përfaqësuesit të PSD-së në qeveri ishte vetëm për një tregues dhe ajo ishte abuzive. Shifra ishte abuzive për vetë faktin se Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nuk është ministri investive. Invsetimet në këtë ministri janë në nivel shumë të ulët. Ndërkohë që ministritë e tjera kanë investime parësore, siç është Ministria e Pushtetit Vendor, Transporteve, Turizmi, Energjetika etj., dhe nuk mund të bëhet krahasimi mes këtyre ministrive, të cilat kanë thithur fondet maksimale nga Buxheti i Shtetit me Ministrinë e Punës. Kjo renditje abuzive tregon një tendencë dashakeqe, mungesë serioziteti, dhe është pak fëminore, po të mendosh që është bërë qëllimisht. Ndryshimet që ne i kemi kërkuar do të vazhdojmë t'i kërkojmë së bashku me faktorin e brendshëm së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht BE-në. Në të gjitha raportet për ritmet e reformave nuk është atakuar ndonjë herë Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale. Kështu dhe ajo tendencë apo qëllimi për të krijuar një tymnajë, tregon se PS-ja nuk çlirohet dot nga analizat, nuk e kupton seriozitetin e partnerëve. Ndërkohë që nuk duhet të niset nga emra ministrash, por nga problemet themelore. Mbi këtë bazë të bëhet dhe vlerësimi apo zhvlerësimi.

Aleatët e vegjël të "Koalicionit për Integrim", ashtu siç ishte premtuar në dhjetor pas analizës, nuk u bënë pjesë e qeverisë. Ç'mund të na thoni?

Ndryshimet ishin të mbyllura që në muajin dhjetor për PSD-në, kështuqë ne na vjen mirë që nuk firmosëm vendimin e tryezës së "Koalicionit për Integrim". Kjo tregoi qartë se ajo komunikatë për shtyp ishte një lojë. Ndërkohë dhe disa nga aleatët që firmosën se në janar do të bëhen ndryshime nuk e di se çfarë sqarime iu janë dhënë nga ana e Kryeministrit Nano. Analiza është përdorur si alibi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›