Angazhimi, Berisha: “Qeveria do ti trajtojë me seriozitet kushtet e KE-së”
Vetëm një orë pas shpalljes së vendimit pozitiv të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për shqiptarët, kryeministri Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp se ky është një vendim historik për Shqipërinë, ndërsa garantoi se qeveria do t’i trajtojë me seriozitet të gjitha kushtet e KE-së. “Komisionerja e Bashkimit Europian për Çështjet e Sigurisë dhe Vizave shpalli publikisht vendimin historik të Këshillit të Komisionerëve për Shqipërinë dhe shqiptarët, për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Kjo përbën një arritje madhore historike për çdo qytetar shqiptar. Kjo përbën një ëndërr të realizuar të shqiptarëve, por një ëndërr që nga rilindësit e tyre e gjer në ditët e sotme. Kjo përbën një premtim të mbajtur nga kjo qeveri, e cila ishte zotuar se do të merrte çdo masë, do të bënte çdo reformë, do të miratonte çdo ligj e vendim, në mënyrë që ky vendim, i shumëpritur prej shumë e shumë dekadash, të merrej në Bruksel”, - është shprehur kryeministri.
Duke iu referuar kushtit për riatdhesimin e të larguarve, Berisha bëri të ditur se ekspertët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë kanë përgatitur një nga strategjitë më të shkëlqyera, që tani është në diskutim e sipër me faktorin ndërkombëtar dhe sapo të përfundojë ky diskutim dhe këto opinione, do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave. Ndërsa përsa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, Berisha premtoi rritjen e numrit të nëpunësve që do të merren me këto kushte. “Rekomandimi për forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është marrë dhe po merret me seriozitetin më maksimal të kësaj qeverie, duke angazhuar të gjitha burimet e nevojshme të mundshme. Së shpejti qeveria merr vendimin për të shtuar personelin në drejtoritë e luftës kundër trafiqeve dhe drogës. Ju e keni parë që po merren masa shumë serioze për të bërë zero tolerancë ndaj mbjelljes së Cannabisit. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Shtetit kanë përgatitur trajnime të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Gjashtë Taks-Forca, të ngritura në modelin e Task-Forcës së Tiranës, në gjashtë qarqet kryesore të vendit, do të kenë mbështetjen e plotë dhe totale të qeverisë”, - është shprehur Berisha. Ai premtoi miratimin së shpejti të ligjit antimafie. “Rekomandimi tjetër është për ligjin antimafie. Së pari, dua të theksoj se ky ligj i bën nder të madh Shqipërisë. Sot Shqipëria ka një prej ligjeve më të mira të kohës për këtë fushë. Vullneti ynë është i hekurt për ta zbatuar këtë ligj”, - është shprehur Berisha.
28 Maj 2010