E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu mbijeton në Superligë



Falë një goli të çmuar të realizuar nga Klodian Asllani (asist i Enco Malindit) në minutën e 2-të, Skënderbeu i “ndërkombëtarizuar” me shqiptarë, maqedonas, serbë e kroatë, ia doli të fitojë 1-0 me Kamzën ambicioze, në “play-out”-in e zhvilluar në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, në sfidën teke për një vend në Kategorinë Superiore për sezonin 2010-2011. Takimi ishte shumë i tensionuar, me momente dramatike dhe vendime të kontestuara ndaj gjykimit të Bardhyl Pashajt, çka reflektoi edhe në revoltat e tifozerisë në tribuna. Skënderbeu vetëm 48 orë më parë konfirmoi Mirel Josën në bankinë për sezonin e ri, ndërkohë që nuk dihet fati i mëtejshëm i trajnerit Perlat Musta, tani që Kamza e tij do të luajë edhe edicionin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.

Sot, Kastrioti-Lushnja

Sot, me takimin Kastrioti-Lushnja (“Qemal Stafa”, ora 16:30) do të mësohet edhe skuadra e fundit që do të kompletojë Superligën për edicionin e ri.

U-21, Shqipëri – Poloni 2-2
Për Shpresat e Artan Bushatit shënuan Bekim Bala dhe Odise Roshi

Shqipëria U-21 barazoi 2-2 me Poloninë e kësaj moshe, në miqësoren e zhvilluar në “Loni Papuçiu” të Fierit, duke bërë të pavlefshëm dy herë rresht avantazhin e përkohshëm të polakëve.
Polonia e trajnerit Andrzej Zamilski realizoi e para me anë të sulmuesit të Jagiellonia Biajystok, Kamil Gosicki (25-të), pas një asisti të Adrian Bastës, e duke mbyllur pjesën e parë në avantazhin e saj, pavarësisht se Shqipëria pati më shumë raste.
Pjesa e dytë nisi me golin e bukur të Bekim Balës në të 61’. Polonia kaloi sërish në avantazh në minutën e 83-të, por në minutën e 91-të, sulmuesi i Flamurtarit, Odise Roshi, barazoi 2-2 me penallti.

Fatjon Sefa kërkohet nga Slaven Belupo

Sulmuesi i Dinamos, Fatjon Sefa (13 gola sezonin e kaluar) kërkohet nga Slaven Belupo. Trajneri i skuadrës kroate është ish-tekniku i Dinamos, Zllatko Daliç, ky u fundit drejtoi blutë në gjysmën e parë të sezonit 2008-2009, i pasuar në stolin dinamas nga Shkëlqim Muça. Sefa, i cili është edhe në planet e Besës së Kavajës, ka dhe një vit kontratë me Dinamon. Slaven Belupo është një emër i njohur për futbollin shqiptar, pasi në ballafaqimet ndërkombëtare është ndeshur me Teutën dhe Vllazninë.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›