E Hënë, 2 Nëntor 2026

Angazhohem në legalizimin e banesave dhe në zhvillimin e zonës

03/06/2005  Kandidati i LSI-së, Ilir Dashi, shprehet se thotë se varfëria dhe papunësia janë dhuratë politike

Zoti Dashi, cila është platforma juaj elektorale?

Platforma ime elektorale mbështetet mbi tri kolona, që përbëjnë dhe tri problemet më shqetësuese të evidentuara në zonën elektorale, ku unë kandidoj. Kolona e parë është zgjidhja e problemit të punësimit. Mund t’ju them se ndryshe nga sa thuhet në buletinet dhe deklaratat zyrtare të qeveritarëve aktualë, thuajse të gjitha raportet e institucioneve të huaja prestigjioze, ashtu sikurse edhe sondazhet e kryera nga shtabi im elektoral, flasin për rritje të ndjeshme të varfërisë, në Shqipëri, por edhe në zonën nr.31. Veç faktorëve të tjerë jo pak të rëndësishëm, ky nivel varfërie është “dhuratë” edhe e numrit gjithnjë në rritje të papunësisë. Ashtu si në të gjithë vendin, edhe zona ku kandidoj, ka një shkallë të lartë papunësie. Përmes qënies time në Kuvendin e ardhshëm, do të angazhohem drejtpërsëdrejti në të dy nivelet e vendimmarrjes, atë qendror dhe lokal, për promovimin e politikave favorizuese ndaj biznesit vendas e të huaj, me qëllim uljen e numrin të të papunëve. Kjo është njëra anë e medaljes. Tjetra lidhet me stimulimin e bizneseve, përjashtimin e tyre të përkohshëm nga disa taksa specifike, trajnimin profesional të punonjësve, duke kontribuar në kualifikimin e tyre, dhënia e një informacioni të shpejtë, të saktë e të qartë për tregun e punës, si dhe krijimi i lidhjeve të shëndosha mes universiteteve me biznesin, një lidhje që bota e konsideron si R&D (Research and Development), pra kërkim-zhvillim. Ky binom përbën shtysën për t’i paraprirë çdo tendence zhvillimi të sektorit privat, për të hyrë më në fund në rrugën e ekonomisë së vërtetë të tregut. Më tej, platforma ime mbështetet mbi kolonën e dytë: legalizimi. Zona nr.31, në 75% të sipërfaqes, është informale. Gjysma e popullsisë jeton në këto hapësira. LSI dhe unë si pjesë përbërëse e saj jemi shprehur në mënyrë kategorike kundër ligjit të legalizimeve për shumë e shumë arsye. Por, ajo që unë premtoj dhe do të mundohem me të gjitha forcat për ta realizuar, është zgjidhja e këtij problemi delikat në favor të qytetarëve. Unë angazhohem për legalizimin e shtëpive me çmimin e kohës së fillimit të ndërtimit, urbanizimin e zonës me fonde shtetërore dhe ç’është më kryesore: t’u sigurojmë me çdo kusht banesë dhe strehim atyre që do t’i cënojë plani rregullues. Dhe kolona e tretë është infrastruktura. Janë dhënë disa herë fonde për riparimin e rrugëve që janë edhe sot e kësaj dite në gjendje skandaloze, por askush nuk di të japë një përgjigje të saktë se ku shkuan paratë. Unë premtoj se banorët e zonës time do të kenë rrugë moderne, me gjithçka të domosdoshme, një rrjet elektrik të rregullt e të parrezikshëm për askënd, drita dhe ujë si të gjithë kryeqytetasit e tjerë.

Ku do t'i mbështesni fondet për fushatën?

Në radhë të parë, do të nënvizoja se fushata ime elektorale është konceptuar qysh në fillim dhe po zhvillohet mbi baza të forta vullnetarizmi dhe ndihmese shoqërore. Me fjalë të tjera, shumë shokë, miq dhe të afërm i janë përgjigjur thirrjes sime, duke u angazhuar me kohë të pjesshme apo të plotë në të gjitha detajet që përbëjnë një fushatë elektorale. Përfitoj nga rasti të falenderoj të gjithë ata që po më mbështesin me kontibutet e tyre modeste financiare, të cilat, bashkuar kontributit të partise dhe kontributit tim personal më japin mundësinë të përçoj të zgjedhësit e mi mesazhet e mia dhe të partisë që unë përfaqësoj.

Cili është komenti juaj për rivalët?

E kam thënë disa herë. Fati im i mirë është se i njoh të dy, si Bamirin (Topi) që kandidon për Partinë Demokratike, edhe Mimin (Kodhelin) që kandidon në emër të Partisë Socialiste. Me të parin kemi bërë të njëjtin gjimnaz, ndërsa Mimin e kam pasur deri vonë në të njëjtën lagje, këtu në Tiranë. I respektoj si personalitete që kanë dhënë në fushat e tyre, por mendoj se forca për të cilën kandidoj, LSI-ja ka ndryshime shumë të mëdha nga dy të tjerat, për shkak të tabanit social që përfaqëson, interesave më të gjera shoqërore dhe vizionit që kërkon të sjellë në politikën shqiptare. Për më tepër, unë personalisht, angazhohem për herë të parë në politikë. Si i painfektuar nga mikrobet e së shkuarës dhe të së tashmes, po tentoj të sjell një moral të ri politik.

CV-ja e Ilir Dashit

Lindur më 3 Maj 1956, në Tiranë, i martuar dhe baba i 2 fëmijëve.

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë (Ekonomi Politike) (1976-1980).

Kurse pasuniversitare për menaxhim, marketing, drejtim-organizim.

Përvoja e punës:

Organet e pushtetit qendror deri në vitin 1990.

Pedagog në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë.

Aktualisht, drejtor i Kompanisë Amerikane “Orbit”. Ka rol vendimtar në ngritjen dhe konsolidimin e kësaj kompanie, duke ndihmuar realisht në punësimin e 200 personave. Gjatë periudhës së drejtimit të tij, aktiviteti është rritur 50-fish dhe është shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën.

Gjuhët e huaja: anglisht, danisht, italisht

Karakteristika:

•Vjen nga familje me tradita shumë të mira qytetare tiranase.

•Si banor i zonës, njeh mirë problemet tuaja dhe e ndjen për detyrim moral e shoqëror të ndihmojë në zgjidhjen e tyre dhe më tej.

•Ka pjekurinë intelektuale dhe mendim racional.

•Karakterizohet nga këmbëngulja në punë.

•Është figurë e re dhe e pastër politike.

Objektivat:

•Synon zgjidhjen e problemeve që lidhen me punësimin, pronën, ndihmën sociale dhe pensionet, legalizimin, jetën kolektive etj., duke u mbështetur në vlerat më të mira morale, si familja, humanizmi, solidariteti dhe ndershmëria.

•I papajtuar me realitetin dhe prandaj bashkohet me ju për ta ndryshuar.

•I vendosur të përballojë sfidat gjatë dhe pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›