E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angela Merkel-shpëtimtare apo problem i BE-së

Merkel momentalisht është një prej figurave më të rëndësishme në botë. Si kryesuese e ekonomisë padyshim më të fuqishme në Eurozonë, ajo mban në duart e saj mirëqenien ekonomike dhe financiare të të gjithë Evropës. Përkundër gjithë aftësive dhe popullaritetit të saj të brendshëm, ajo është një figurë, për të cilën Evropa momentalisht nuk ka nevojë, theksojnë kritikët.

Më 22 dhjetor të vitit 1999, një letër u publikua në faqen e parë të gazetës kryesore konservatore në Gjermani, Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ajo përmbante një sulm të ashpër kundër burrështetasit më të respektuar në Gjermani, Helmut Kohl, kancelarit i cili sa po kishte dalë në pension dhe arkitektit të bashkimit të Gjermanisë, i cili atëbotë ishte zhytur në një skandal të financimit të partisë. Në këtë letër u theksua se partia konservatore, CDU, mund të përparojë vetëm nëse shkëputet nga e kaluara e saj.

Ishte kjo një letër e jashtëzakonshme, e cila ju drejtua publikisht një udhëheqësi të lënduar. Ajo që ishte e veçantë, ishte se personi që nënshkroi letrën ishte një njeri, i cili nuk e pretendonte atëbotë karrigen e Kohlit, por një e mbrojtur nga ana e tij, të cilin ai e quante “vajza”.

Disa dëshirojnë ta shohin këtë episod-e cila vërtetë lancoi Angela Merkelin në stratosferën e politikës, pasi që ajo një vit më vonë u zgjodh kryetare e CDU-së, e pesë vjet më vonë edhe kancelaria e parë femër e Gjermanisë-si një dëshmi se ajo është e ashpër, madje edhe një oportuniste e pa-kompromis, e aftë për aksion të vendosur dhe në rast nevoje edhe të fëlliqtë, për të realizuar qëllimet e saja.

Të tjerët e konsiderojnë këtë si një moment jo-karakteristik të çmendurisë nga ana e një politikane, e cila përndryshe gjithë karrierën e saj e ka bazuar mbi kujdesin dhe konsensusin politik.

Natyrisht, ajo mund të ketë që të dy këto tipare. Duke pasur parasysh situatën aktuale, shumë njerëz do të dëshironin që sot të shihnin një Merkel më të ashpër dhe më të vendosur, e më pak të qetë dhe metodike.

Ngase, Merkel momentalisht është një prej figurave më të rëndësishme në botë. Si kryesuese e ekonomisë padyshim më të fuqishme në Eurozonë, ajo mban në duart e saj mirëqenien ekonomike dhe financiare të të gjithë Evropës. Përkundër gjithë aftësive dhe popullaritetit të saj të brendshëm, ajo është një figurë, për të cilën Evropa momentalisht nuk ka nevojë, theksojnë kritikët.

“Që nga fillimi i krizës, në vitet 2007 dhe 2008, Angela Merkel na ka ofruar dëshmi se nuk posedon tiparet e një lideri të madh”, thotë Jean Quatremer, korrespondent nga Brukseli i gazetës franceze, Liberation dhe vëzhgues veteran i çështjeve evropiane.

“Ajo po drejton pa vizion të qartë politik dhe pa autoritet. Angela Merkel është shndërruar në problemin kryesor të Evropës”, shton ai.

Të tjerët nuk janë kaq të ashpër, por as më të butë. Lëshimi më i madh i Merkelit, thotë Charles Grant, nga Qendra për Reforma Evropiane, është se ajo ose është e pavullnetshme, ose është e paaftë që të vë në dyshim qëndrimet mbizotëruese gjermane.

“Liderët e vërtetë mund të ndryshojnë. Ata janë të gatshëm të mendojnë për gjërat e pa-paramendueshme, të thonë dhe të bëjnë gjëra, për të cilat e dinë se nuk do të jenë aspak të popullarizuara. Merkel nuk është aq e guximshme, sa për të ndryshuar mënyrën se si mendojnë njerëzit”, thekson Grant.

Por për gjermanët, politika nuk është ajo që përcakton vlerën e Merkelit. Për ta, ajo që dinë për karakterin e saj ka rëndësi shumë më të madhe se ajo që nuk e dinë për idetë e saj. Sondazhet dëshmojnë se Merkel ka tashmë ca kohë që është më e popullarizuar se sa partia e saj. Pjesës më të madhe të gjermanëve ju pëlqen imazhi i Gjermanisë, të cilin po e projekton Merkel.

Dhe kjo, kur bëhet fjalë për krizën aktuale në Eurozonë, ndoshta edhe paraqet thelbin e problemit.

Çdo gjë që kritikëve të Merkelit nuk ju pëlqen rreth saj, ju pëlqen gjermanëve. Sipas anketës së fundit të bërë nga televizioni gjerman, ARD, Merkel mbështetet nga 57 për qind e gjermanëve, një rritje prej nëntë për qind për dallim nga tetori. Dhe ajo me gjasë nuk do të bëjë asgjë, që do të luhaste këtë përkrahje.

Gjermanët gjithashtu besojnë se euro është shndërruar në një barrë jo-korrekte dhe tatim të shtrenjtë mbi ekonominë e tyre të fuqishme.

Grant pranon se ka ndërruar mendje për Merkelin. “Në fillim, kam qenë adhurues i saj. Ishte e mrekullueshme në samitet e para: bashkonte të gjithë, luante rolin e paqeruajtëses, realizonte marrëveshjet. Por që nga fillimi i krizës së eurozonës, ajo ka tronditur opinionin. Ndihmat e para për Greqinë, në fillim të vitit 2010, u shtyen për muaj të tëra, për shkak të zgjedhjeve në landin e Nordrhein Westfalisë, të cilat CDU i humbi”, thotë Grant.

Në Bruksel, Quatremer pajtohet:”Ajo padyshim se është një kapitene e mirë, kur moti është i mirë. Por në momentin kur përkeqësohet, ajo është e paaftë. Seriozisht dyshoj se a do të kishte qenë ajo e aftë të bindte qytetaret e saj që të pranonin euron, siç ka bërë Kohli në kohën e tij, përkundër qëndrimit mjaft armiqësor të opinionit të brendshëm publik”. (The Guardian)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›