Projektimi i fuqisë

Kubja në afërsi të mureve antike të Stambollit është një nga atraksionet më të reja turistike në këtë qytet. Panorama prej 360 shkallësh, e kompletuar me efekte të zërit, me ç’rast mund të dëgjohet gjëmimi i topave, paraqet momentin historik nga viti 1453, kur Konstantinopoja u pushtua nga sulltani turk.
Kubja është e mbushur përplot me nxënës, të gjithë të impresionuar nga kjo e kaluar e famshme.
“Është ky një moment i jashtëzakonshëm, shpëtimi i Stambollit. Nuk ka asgjë më të madhe. Vërtetë të jep një ndjenjë të jashtëzakonshme”, thotë Jansu 15 vjeçar.
Turqia e sotme po lulëzon. Dhe me fuqizimin e saj ekonomik, në sipërfaqe ka dalë edhe një vetëbesim më i madh i vendit, i cili ka nxitur njerëzit që të hamendet se a fsheh ky vend tani ambicie neo-osmane, për të forcuar rolin e saj si fuqi dominuese në Lindjen e Mesme.
Diplomatët turqë hedhin poshtë diskutimet dhe debatet për neo-osmanizëm. Ata theksojnë se Turqia është anëtare besnike e NATO-s, partnere e rëndësishme tregtare e BE-së dhe se angazhohet me vendosmëri për realizimin e reformave, të cilat do të mundësonin anëtarësimin e saj në BE, nëse kjo do të ndodhë vërtetë ndonjëherë.
Ata theksojnë se Turqia është një urë diplomatike mes Perëndimit dhe Lindjes, e jo një fuqi me ambicie imperialiste.
Por, gjatë viteve të fundit, Turqia nuk ka vepruar gjithmonë në bashkërendim me Perëndimin. Ajo ka vendosur lidhje të ndara dhe më të afërta me Iranin. Dallimet rreth Gazës zhytën në krizë marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin. Udhëheqësit autokratë arabë, si kolonel Gaddafi dhe presidenti i Sirisë, Assad, u përfshinë në politikën e re “zero probleme” me fqinjët.
Megjithatë, Turqia me shpejtësi hoqi dorë nga kjo politikë, kur shumë pjesë të botës u zhytën në rrëmujë këtë vit. Por Turqia nuk ka qëndruar anash. Tani ajo e paraqet vetën si model për qeveritë e reja të Pranverës Arabe, si një shembull i mirë i cili dëshmon se islami dhe modernizmi mund të bashkëjetojnë.
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyib Erdogan, së fundi është pritur me entuziazëm nga turmat, gjatë turneut të tij triumfues në Tunizi, Libi dhe Egjipt.
Dikur një aleat i presidentit Assad, tani ai është shndërruar në një prej kritikëve më të ashpër të regjimit në Siri, duke u kërcënuar me sanksione dhe duke i ofruar strehim grupeve opozitare në Siri.
Në Stamboll do të gjeni pjesëtarë të opozitës siriane, duke demonstruar para ndërtesës së konsullatës së Sirisë në Stamboll.
“Kemi një situatë tejet të rrezikshme në Siri”, thotë Omar Shavad, nga Këshilli Kombëtar i Sirisë. “Presidenti Assad nuk ka më miq, përjashtuar këtu ndoshta Iranin. Pra ai nuk ka rrugëdalje, gjë që nënkupton se do të luftojë deri në fund. Nëse do të ketë intervenim në Siri, atëherë nevojitet një bazë dhe kjo bazë mund të jetë vetëm këtu. Kjo është arsyeja se pse Turqia është kaq e rëndësishme”, shton ai.
Por nuk janë vetëm retorika politike e Turqisë dhe potenciali i saj për aksion ushtarak gjërat që e shtojnë projeksionin e fuqisë së këtij vendi.
Ekziston edhe “fuqia e butë”, eksporti kulturor që po forcon lidhjet e Turqisë me vendet fqinje në mënyra tjera.
Që nga koha kur Turqia ka filluar të eksportojë me të madhe seritë e veta televizive, numri i turistëve arabë në Stamboll është dhjetëfishuar gjatë gjashtë viteve të fundit.
Hamza dhe Raja janë një çift nga Jordania, i cili ka vendosur ta kalojë muajin e mjaltit në Stamboll. Turqia, shpjegon çifti, është një opsion ekzotik, por i sigurt, një shtet mysliman, por njëkohësisht edhe një shtet modern dhe evropian.
Por për disa intelektualë turqë në Stamboll, qëndrimet e këtilla janë paradoksale: Turqia moderne mund të jetë që është demilitarizuar, por nuk janë të gjithë të mendimit se Turqia e ka fituar të drejtën që të paraqet vetën si model të një demokracie moderne myslimane.
Sipas Institutit Ndërkombëtarë për Shtyp, në Turqi ka më tepër gazetarë nëpër burgje, se sa në Kinë apo Iran. Shumë gjëra nuk kanë ndryshuar.
Kritikët theksojnë se qeveria e Erdoganit ka filluar të shfrytëzojë ligjet kundër terrorizmit, për të frikësuar gazetarët dhe akademikët, të cilët marrin guximin që të kritikojnë tendencat autokratike në vend.
Këtu kemi një ironi të vërtetë: një parti qeveritare, e cila fiton zgjedhjet bindshëm, për shkak të popullaritetit të saj, por e cila kundërshton kritikat ndaj saj si jo-patriotike. Si mund të pozicionohet Turqia si fuqi e madhe, me ndikim të vërtetë në rajon, nëse nuk i adresohet mangësive në shtëpi, para se gjithash kufizimit të lirisë së shtypit?