E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Angels & Demons”, Dan Brown rikthehet në Tiranë



Vetëm pak ditë pas premierës botërore, filmi “Angels and Demons” mbërrin edhe në Tiranë. Është pikërisht kinema Millennium që ka blerë të drejtën e shfaqjes së këtij filmi për publikun shqiptar dhe do ta sjellë atë në një premierë të veçantë me shumë të ftuar në datën 21 maj. Aktiviteti i organizuar nga Millennium në bashkëpunim me kompaninë mediatike “Jeta”, do të sjellë edhe një surprizë për lexuesit. Shtëpia Botuese “Dudaj”, e cila ka ekskluzivitetin e librave të Dan Brown, do të prezantojë botimin e ri të “Engjëj dhe djaj”, këtë herë me posterin e filmit për kopertinë. Përshtatja kinematografike e librit me të njëjtin titull të shkrimtarit Dan Brown është konsideruar një vijim i filmit “Kodi i Da Vinçit”, të shfaqur në vitin 2006 po në kinema Millennium. Mes dy filmave ka shumë pika të tjera të përbashkëta. Kështu profesori i famshëm Robert Langdon është sërish aktori hollivudian Tom Hanks. Edhe “Angels & Demons” ashtu si “Kodi i Da Vinçit” është një vepër e regjisorit Ron Howard, i cili ka premtuar se do të marrë përsipër dhe regjinë e një filmi të tretë bazuar në romanin më të ri që Dan Brown përgatitet të sjellë në shtator të këtij viti. I njëjtë është edhe skenaristi që në të dy filmat mban firmën e Akiva Goldsman, të njohur si autor i shumë skripteve ndër të cilët “Beautiful Mind”. Edhe kolona zanore është firmuar sërish nga një kompozitor mit i Hollivudit siç mbahet Hans Zimmer. Ngjarjet e filmit sillen rreth profesorit Langdon, i cili duhet të zbulojë se çfarë fshihet pas një vrasjeje misterioze dhe të parandalojë një atentat me bombë në zemër të Vatikanit. Filmi pati një premierë italiane të suksesshme më 5 maj, ndërsa premiera amerikane është mbajtur më 15 maj. Fundjava e parë e filmit në kinema e ka renditur në vendin e parë të arkëtimeve me 48 milionë dollarë, duke krijuar që në fillim përshtypjen e një filmi po aq të ndjekur sa dhe “Kodi i Da Vinçit”, i cili në total e kaloi shumën prej 217 milionë dollarësh. Ndërkaq, edhe filmi “Angels & Demons” është duke zgjeruar gjeografinë e projeksioneve të tij në të gjitha kinematë e botës dhe brenda datës 23 maj do t’i ketë konsumuar pothuajse të gjitha premierat e tij më të rëndësishme.

Stina “Klasik ‘09”

Duoja nga Izraeli, koncert për piano në Akademinë e Arteve

Mbrëmjen e 21 majit në Akademinë e Arteve në kryeqytet stina koncertore “Klasik ‘09” vazhdon zhvillimin me shfaqjen e radhës.
Të ftuarit janë dy pianistë nga Izraeli; Tami Kanazava dhe Yuval Admony. Duoja për piano Kanazava-Admony ka fituar famë ndërkombëtare nëpër turet koncertore që ka bërë në botë, sidomos në Europë, Lindjen e Largët, Lindjen e Mesme dhe në Amerikën e Veriut. Ata kanë luajtur në salla të tilla të njohura si në Carnegie Hall në Nju Jork, Casals Hall në Tokio, Argentina Theater në Romë, Jerusalem Theater në Izrael etj. Ata kryesisht japin recitale, në festivale të muzikës, në radio e televizione.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›