Roja në Vain të Lezhës: Budjon Meçe torturonte njerëz në bazën e SHIK-ut
Tiranë - Kolegji i Krimeve të Rënda që po gjykon dosjen e Remzi Hoxhës është përballur dje me dëshmi konkrete. Dëshmitari Viktor Sokoli që pak vite më parë punonte si roje në bazën e fshehtë të Shërbimit Informativ nuk ka nguruar dje të jepte edhe emra konkrete. Sipas tij në atë bazë silleshin persona të mbuluar me thes në kokë. Madje roja e përmendi edhe emra konkretë para trupit gjykues. Ai u shpreh se kishte parë një oficer të SHIK-ut me emrin Budjon që kërcënonte Remzi Hoxhën. Këtë dëshmi roja pranoi se ia kishte pohuar edhe dy vjet më vonë drejtorit të bazës së Vainit. Në procesin gjyqësor ndaj ish-punonjësve të SHIK-ut, prokurori i çështjes kërkoi dëshmitar, shtetasin kosovar Shaqa Shatri, kërkesë të cilën gjykata nuk e pranoi. Për krimin e kryer gati 13 vjet më parë në bankën e të akuzuarve janë 3 ish SHIK-as, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-SHIK-asve, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng në tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut, se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës.
Konflikti për pronën qëllohet për vdekje 39-vjeçari, në kërkim autori
DURRËS- Konfliktet mbi pronësinë shkaktojnë një tjetër përplasje në qytetin bregdetarë të Durrësit. Kështu mesditën e djeshme është qëlluar me armë zjarri shtetasi Agron Bodulli, i cili ka pësuar vdekje klinike. Policia e Durrësit ka bërë të mundur identifikimin e autorit dhe ai është Gani Kapiti, ky i fundit është shpallur në kërkim. Sipas burimeve policore bëhet e ditur se shkak i këtij konfrontimi ka qenë një ndërtim në rërën e plazhit, i cili ka degjeneruar në përplasjen me armë ku Kapiti ka qëlluar me çifte Bodullin.
Aksident në Gjirokastër, humb jetën ish-kreu i PS-së
GJIROKASTER - Ish-kryetari i PS-së së Gjirokastrës, Resul Llogo, humbi jetën paraditen e djeshme nga një aksident automobilistik në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Llogo ishte duke udhëtuar me automjetin e tij bens me targa GJ 46 77 A. Zyrtarisht nuk janë qartësuar rrethanat e aksidentit, por nga të dhënat paraprake mësohet se automjeti me të cilin udhëtonte Llogo ka humbur drejtimin duke dalë nga rruga. Resul Llogo ka qenë edhe Kryetar i Këshillit të Qarkut Gjirokastër.
Tenton vetëflijimin një 28-vjeçare e divorcuar, nënë e tre fëmijëve
Durrës– Tenton t’i japë fund jetës duke konsumuar një sasi ilaçesh, nëna e tre fëmijëve të mitur. Ngjarja ndodhi dje në qytetin e Durrësit, kur Rozeta K. 28-vjeçe, e divorcuar me tre fëmijë është transportuar në spital në gjendje të rëndë. Pasi ka marrë ndihmën e parë, gruaja u transportua, për mjekim më të specializuar, në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Mjekët konfirmojnë se ajo ka përdorur një sasi të konsiderueshme medikamentesh të cilat kanë rënduar gjendjen e saj, por nuk behët e ditur së çfarë lloj medikamentesh ka marrë. Policia e Durrësit, ka nisur hetimet për të zbardhur motivet që kanë detyruar 28-vjeçaren të tentojë të vetëflijohet. Pritet përmirësimi i shëndetit të gruas për të marrë deklarimet e saj, të cilat do të zbardhin dhe arsyet e ngjarjes.
20 Maj 2009