MAGAZINIERI I BAZËS “MEMAJ” : “Më sollën miliona euro municion nga Mali i Zi pa asnjë dokument”
Zbardhen të tjera detaje interesante për armatimin që shkonte nga Memaj drejt Rinasit. Magazinieri Sabri Lushaj hodhi dritë mbi aktivitetin e bazës së shumëpërfolur të Memajt
Habjon Hasani
Tiranë - Një prej bazave ushtarake më “intriguese” është ajo e Memajt pranë Durrësit, aktiviteti i së cilës ka qenë objekt i punës së prokurorisë së Përgjithshme, megjithatë shumë pak është zbuluar në këtë drejtim. Gjatë punës së prokurorisë së Durrësit(e cila ia dërgoi kompetencat asaj të Përgjithshmes më vonë) është pyetur dhe magazinieri i kësaj baze-depo ushtarake i quajtur Sabri Lusha i cili ka hedhur dritë mbi disa aktivitete të zhvilluara në këtë bazë. Duket se Ylli Pinari ka qenë shumë aktiv dhe vizitor i rregullt i bazës së Memajt në të cilën ai ka magazinuar aty shpesh dhe municion që vinte pa dokumente, ndërsa Pinari shpesh rezulton se ka magazinuar këtë municion i shoqëruar nga shtetas madje deri dhe zyrtarë të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës
PROCESVERBAL
Për rimarrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale
Në Durrës sot më datën 28 Mars 2008.
Unë Qydret Kadija Prokuror pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës në mbështetje të neneve 153, 155, 279, etj të K. Pr P. mbaj këtë procesverbal për rimarrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale, prej shtetasit Sabri Lusha, i biri i Ramadanit dhe i Xhevahires, i datëlindjes 20.04.1948, lindur në Reç të Dibrës dhe banues në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim të mesëm i padënuar më parë. Me numër telefoni 06820XYYXX. Deklaruesit iu shpjeguan edhe njëherë nenet 155 deri 160 të KPP-së të cilat bëjnë fjalë për rregullat e dëshmisë dhe ju kërkua që të tregojë gjithçka që di për rrethanat e veprës penale dhe personin që i atribuohet vepra, si dhe u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para Prokurorit duke dhënë shpjegime që ai e di se janë tërësisht apo pjesërisht të rreme, apo fsheh fakte apo prova, që në bazë të nenit 305/a të K. Penal, dënohen me burgim deri në 6(gjashtë) muaj burgim.
Me vullnetin e tij të lirë ai deklaroi:
Siç kam shpjeguar edhe më parë kur jam pyetur më datën 26.03.2008, jam me detyrën e magazinierit te depot që janë në fshatin “Memaj”, Romanat, Durrës, depo të cilat janë në në vartësi të ndërmarrjes ushtarake “MEICO”, por që ruhen me ushtarët e brigadës. Këtë detyrë kam rreth 3 vite që e kryej. Kur e mora këtë detyrë ka qenë dhe një magazinier tjetër i quajtur Zani Hasko dhe në depot e repartit kam gjetur dhe kam marrë në dorëzim prej tij rreth 40-50 mijë copë fishekë automatiku të cilat ishin të ambalazhuara me arka druri dhe të stivosura. Gjithashtu ishin dhe 150 copë mitraloza të vegjël “Brend-Anglez” që janë edhe sot aty, disa kaseta mitralozi të cilat pavarësisht se i kam me inventar, ato janë për skrap se nuk i merr njeri dhe janë akoma aty në magazinë. Jashtë depos ishin edhe disa topa për skrap dhe aty janë edhe sot. Kam gjetur dhe rreth 130 ton barut shufër të cilin e kemi paketuar në vitin 2007 dhe me kërkesa të vazhdueshme nga ana jonë për ta hequr nga rreziku që paraqiste nga vapa përfundimisht është shitur në gusht 2007 dhe kanë ardhur 3 kamionë nga Danimarka dhe të shoqëruar nga policia ushtarake janë ngarkuar dhe kanë ikur. Nga kjo sasi baruti kanë ngelur në magazinë rreth 1380 kg dhe e kam gjendje, barut ky që duhet të asgjësohet dhe të mos mbahet në magazinë. Ka dalë, me sa di unë, urdhri për tu larguar nga magazina dhe të çohet në Qafë-Mollë por nuk është realizuar akoma një gjë e tillë. Kam gjetur dhe rreth 50 ton eksigjen dalë nga demontimi i municioneve në Gramsh dhe Poliçan dhe ende aty në depo është, nuk është shitur akoma. Në këtë repart janë gjithsej rreth 7 magazina-depo, të cilat fillimisht i administroja unë. Më datën 24.02.2008, dy depo të lidhura me njëra tjetrën me mur në mes u shndërruan në një depo të vetme të madhe meqenëse ju prish muri me urdhër të drejtorit të “MEICO”-s, Ylli Pinari dhe ja kam dorëzuar 9 civilëve shtetas amerikanë. Këto amerikanët kanë ndryshuar bravat e çelësat, duke vendosur brava e çelësa të rinj, këto çelësa ata i kanë mbajtur vetë. Ardhjen dhe ikjen e amerikanëve nga depoja e bënte shoferi i drejtorit të “MEICO”-s , Petrit Çela. Kjo depo siç thashë ka qenë e ndarë në mes dhe ishin dy depo me hyrje të veçanta njëra nga tjetra. Para se të vinin amerikanët njërën ia kishte lëshuar “MEICO” me qira, me kontratë të rregullt shtetasit Pëllumb Babasi i cili mbante materiale për nevojë të firmës së vetë si fitil dhe kapsolle dhe me sa di unë, kjo firmë ka një gurre në Fushë Krujë si dhe një nyje për thyerje gurësh për inerte dhe kështu në magazinë mbante sendet e lartpërmendura. Që e kishin lidhur kontratën e rregullt dhe që paguante 18 mijë lekë në muaj për këtë magazinë, unë e di të saktë. Pëllumbi e ka mbajtur atë magazinë për rreth 2 vite dhe tani që erdhën amerikanët dhe i morën magazinën Pëllumbi i ka kaluar këto materiale në një depo tjetër për llogari të tij, pra ka vendosur aty fitilin dhe kapsollat derisa të lirohet depoja në fjalë. Fitilin dhe kapsollat Pëllumbi i blinte nga ndërmarrja “MEICO”, pra nga magazinat tona dhe më pas i kalonte në magazinën e tij. Nuk di dhe nuk kam parë që ai të ketë sjellë nga jashtë materiale të tjera, gjë e cila është e sigurt. Ai i merrte nga magazinat tona me dokument, pra i blinte dhe i mbante në magazinën e tij, sepse i merrte për ti përdorur sipas nevojës së tij kohë mbas kohe dhe kështu e mbante më mirë në magazinën e vetë. Gjë tjetër në depon e tij nuk ka.
Me sa di unë amerikanët e kanë zbrazur depon plotësisht dhe se mallin e fundit e kanë bllokuar në Rinas dhe ky mall përbëhet nga 144 mijë fishek 7.62 mm, 56 mijë fishekë 7.56 mm të ardhura të dy partitë e mallit nga Poliçani. 311 djegore, 535 djegore, 130 djegore, 107 djegore, 1397 djegore, 1769 djegore, 56 djegore, 10 copë predha, 5 copë mbushëse, 10 copë djegore M-12, 60 copë granata dore, 60 copë shtimje 130mm, 2 copë shtimje 130-she etj, dhe që ditën e premte më datën 14 mars 2008 janë çuar në Rinas dhe atje janë të bllokuara. Gjatë kohës që amerikanët kanë mbajtur depon vetë(Nga data 24.02.2008 deri më datën 14.03.2008) kam parë se vinin mjete të ndryshme ushtarake dhe sillnin materiale, kryesisht municion nga depo të ndryshme të vendit dhe aty në depo ambalazhoheshin nga vetë amerikanët që punonin aty dhe bëheshin gati. Më datën 14. 03.2008 siç thashë janë nxjerrë nga depo dhe janë çuar në Rinas. Madje kam parë se ka ardhur disa herë me Pinarin, sekretari i Ambasadës Amerikane i cili dinte pak dhe gjuhën shqipe, interesohej për mallin, por me ne nuk ka komunikuar ndonjëherë. Gjatë kohës që kam qenë dhe jam në magazinë unë kam marrë rreth 300 ton TRT i dalë nga armatimi që është shpërbërë në Gramsh e Poliçan, i cili është ambalazhuar nga arkat në thasë rrjete tek magazinat tona nga unë personalisht dhe punëtorët e magazinës. Rreth 230 ton është shitur në Mal të Zi në vitin 2007 e 2008 ngarkuar me kamionë të mëdhenj me targa serbe dhe që shoqëroheshin nga policia jonë ushtarake. Makina e fundit është ngarkuar afërsisht më datën 10.03.2008 dhe mbas kësaj date nuk ka ardhur më askush, e për pasojë, pjesën tjetër të TRT-së e kemi gjendje. Nga Mali i Zi ka ardhur një kamion me urdhër të Ylli Pinarit. Kamioni përmbante 500 arka me nga dy predha secila pra në total kanë ardhur rreth 1000 predha, të cilat janë pa dokument meqenëse unë i kam mbajtur vetëm me një procesverbal që i kam bërë hyrjen dhe më është thënë se është malli i Ministrisë së Mbrojtjes për llogari të Ambasadës Amerikane dhe siç thashë sekretari i Ambasadës Amerikane ka ardhë disa herë me Ylli Pinarin dhe madje njërën arkë e ka hapur për të kontrolluar. Këto predha për mendimin tim paraqesin rrezikshmëri dhe duhen hequr që aty. Më shumë gjatë kësaj kohe janë futur shumë makina pothuajse nga tre katër për çdo ditë, sepse më vinin gëzhoja 100-she dhe 57-she për skrap nga Gramshi duke më krijuar kështu një sasi prej mbi 40 mijë copë gëzhoja. Unë këto i kam bërë hyrje, për llogari të “MEICO”-s dhe se ku do të shkonin nuk e di por llafe kishte se do ti merrte Delijorgji, por vetë ai apo të tjerë nuk janë paraqitur ndonjëherë te magazina jonë për tu interesuar. Gjatë kohës që unë jam magazinier në “Memaj” nuk kam pasur lidhje me magazinën e Gërdecit, dhe nuk është marrë nga magazinat e mia asnjë mall për tu çuar në Gërdec, por mesa di unë janë marrë disa makina me predha nga një magazinë në fshatin “Ndroq” në Tiranë, ndërsa tek unë jo vetëm që nuk është marrë por nuk ka pasur asnjë mall për tu marrë sepse siç e thashë edhe ai mall që vinte, kalonte në magazinën e amerikanëve ku bëhej dhe përpunimi , ambalazhimi dhe dërgimi i tyre drejt Rinasit. Tjetër nuk kam për të shtuar, procesverbalin e lexova dhe e nënshkruaj pa vërejtje.
Deklaruesi Prokurori
Sabri Lusha Qydret Kadija
20 Maj 2009