E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorina Selimaj: “Dua me shume role tragjike”



Petrika GROSI
Një nga sopranot që interpreton në operan bufa të Verdit, “Falstaff”, e cila kohët e fundit vjen në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë është Dorina Selimaj. Ajo tregon më tepër mbi Nanetën, rolin e saj dhe luhatjen e artistit mes personazheve komike dhe atyre tragjike.

Nga roli i Gabrielit te “Krijimi i Botës” i Hajdenit, te roli i Nanetës, në operan gazmore “Falstaff” të Verdit; sa i vështirë është realizimi i roleve të njëpasnjëshme?
Pas kënaqësisë të marrë nga oratori i mrekullueshëm i Hajdenit, është një vështirësi të kalohet te Verdi, por në të njëjtën kohë është edhe një testim profesional.

Si mund ta përshkruash me pak fjalë personazhin e Nanetës?
Naneta një vajzë 18-vjeçare, e cila dashurohet në fshehtësi me oborrtarin e shtëpisë, gjë për të cilën e ndihmon Kuikli (Quicly) dhe Meg. Babai kërkon ta martojë me një burrë të vjetër, të pasur dhe të shtresës së lartë. Ngjarjet zhvillohen me shpejtësi dhe humor. Përfundimi është që Naneta realizon ëndrrën e saj për t’u martuar me Fentonin. Një personazh gazmor e lozonjar, që sjell humor me interpretimin e saj.

Opera bufa dhe ajo tragjike. Ku ndiheni më mirë e realizuar?
Për vet karakterin personal, më pëlqen të luaj opera bufa, që kërkojnë cilësi interpretative aktoriale të larta, por në të ardhmen do të kisha dëshirë të provoja edhe personazhe tragjike.

Elementët më të vështirë të veprës, muzikalisht, apo nga ana regjisoriale?
Elementët e vështirësisë janë të ndërthurrur, duke menduar që është Verdi, dihet se ka vështirësi vokale dhe përderisa është vepër komike, kuptohet, nga ana regjisoriale ka shumë detaje.

Thatë se kishit dëshirë të provonit më shumë personazhet tragjike, pse? Apo e konsideroni si pjekje dhe maturi profesionale realizimin e tyre?
Patjetër që do ta konsideroja si një arritje profesionale, pasi vet karakteri i zërit tim është për vepra komike.

Cilat role do t'ju intrigonin më tepër, teksa flasim për tragjiket?
Xhilda te “Rigoletto”, Zhuljeta te “Romeo dhe Zhuljeta” dhe Violeta te “Traviata”.

Si do ta komentonit bashkëpunimin me Vikena Kamenicën?
Nuk është hera e parë që interpretojmë sëbashku, me miken time më të mirë. Është kënaqësi të punosh me të profesionalisht dhe nga ana njerzore. Kuptojmë dhe i plotësojmë karakteret e njëra-tjetrës. Vikena të jep siguri dhe kjo është e rëndësishme kur punon në grup.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›