E Diel, 1 Nëntor 2026

OJQ: Zyrtarët e lartë në Kosovë deklarojnë pasurinë por fshehin burimin



Blerina Olldashi
Edhe pse qeveria e Kosovës ka folur për zero tolerancë ndaj korrupsionit, shoqëria civile ka kritikuar strategjinë e cila parashikon deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë por jo prejardhjen e saj. Në këtë mënyrë deklarimi është tërësisht i pavlerë nëse prejardhja e së njëjtës pasuri nuk mund të verifikohet. Janë rreth 800 zyrtarë të lartë që duhet të deklarojnë pasurinë dhe me këtë proces është ngarkuar Agjencia Antikorrupsion, një institucion i cili funksionon prej tri vjetësh. Procedura e deklarimit të pasurisë në këtë rast thuhet të jetë shumë e thjeshtë. Një zyrtar i lartë duhet të mbushë një formular, ku deklaron pasurinë e tij dhe atë ta dërgojë në Agjensinë Antikorrupsion. Jetullah Aliu, nga Agjencia Antikorrupsion, thotë se nga 800 zyrtarët e institucioneve, 95 për qind e tyre tashmë i kanë mbushur këta formularë, ndërsa është një numër i vogël që akoma nuk e kanë kryer këtë detyrim dhe ndaj tyre pritet të merren masa. Megjithatë përfaqësues të shoqërisë civile nuk janë të kënaqur me qeverinë dhe Agjencisë Antikorrupsion, rreth procesit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë institucionalë. Avni Zogjiani, nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se është e papranueshme që formularët e plotësuar nga zyrtarët institucionalë të mos jenë të hapura për publikun deri në momentin e dërgimit të raportit në qeveri. “Këta formularë, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e rajonit, duhet të jenë të hapura për publikun. Agjencia ka keqinterpretuar propozimligjin antikorrupsion dhe ka insistuar që këta formularë duhet të qëndrojnë të mbyllur për publikun ndërkohë që vetë agjencia duhet të verifikojë nëse është shtuar pasuria e zyrtarëve institucionalë”,- thotë Zogjiani. Megjithatë Jetullah Aliu nga Agjencia Antikorrupsion shprehet se do të bëhen publikë emrat e zyrtarëve që nuk janë deklaruar. “Pas kësaj, ne do të njoftojmë institucionin, në të cilin është në marrëdhënie pune personi apo zyrtari i lartë dhe Agjencia nxjerr një paralajmërim që t’i zvogëlohet një e pesta e pagës së zyrtarit të lartë, për tre muaj rresht. Nëse përsëri, brenda tre muajve, nuk e sjell formularin te Agjencia, atëherë nxirret një paralajmërim, ku institucioni bën shkarkimin e tij nga puna”,- thotë Aliu.
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se ata tashmë kanë proceduar në Kuvend ligjin mbi deklarimin e pasurisë, ku pritet të plotësohet me amendamente të vecanta dhe zyrtarët detyrohen ta deklarojnë edhe prejardhjen e pasurisë. Pasi ligji të miratohet në parlament, ai duhet të rishikohet nga zyra civile ndërkombëtare, nëse është në përputhje me pakon e Marti Ahtisarit dhe në fund të dekretohet nga presidenti, në mënyrë që të jetë i plotfuqishëm.

Unioni i Komoreve vendi i 59-të që njeh Kosovën

Vendi afrikan Unioni i Komoreve ka njohur dje zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 59-të që ndërmerr këtë hap. Lajmin e konfirmoi dje Prishtina zyrtare, sipas së cilës vendimi i shtetit afrikan i është komunikuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Kjo e fundit ka njoftuar se ministri Skënder Hyseni ka kontaktuar homologun e vendit afrikan dhe i ka shprehur atij gatishmërinë për të vendosur marrëdhënie diplomatike dhe për të bashkëpunuar. Gjithashtu, Hyseni dhe presidenti Fatmir Sejdiu në një mesazh të përbashkët i kanë shprehur Unionit të Komoreve mirënjohjen e tyre për njohjen e pavarësisë.

Bajden vizitoi Sarajevën

Zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden ka nisur dje vizitën në Ballkan. Ai mbërriti herët në mëngjes në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë dhe kjo vizitë shihet nga shumë analistë si sinjal i rëndësishëm se Ballkani nuk do të injorohet nga administrata amerikane. Një zyrtar amerikan tha se vizita e Bajdenit do të rikonfirmojë përkrahje për integrim të Ballkanit në BE dhe NATO. Ai pritet të gjejë një mirëseardhje të ngrohtë në Kosovë dhe Bosnjë, por nuk është figurë aq popullore në Serbi, pasi përkrah pavarësinë e Kosovës. Për Beogradin, Kosova mbetet pengesa më e madhe në marrëdhëniet me SHBA-të, por Tadiç ka thënë se donte të hapte një kapitull të ri me Uashingtonin, pasi marrëdhëniet e mira do të sigurojnë stabilitet në rajon.

Prishtinë, ekstradohet nga Zvicra i burgosuri i parë

Zvicra u ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës një të burgosur shqiptar, i cili po vuante dënimin në burgjet zvicerane për vepër penale vrasje të kryer në vitin 1995. Bëhet fjalë për personin S.Z. nga Kutllovci i Mitrovicës, i cili do të vazhdojë dënimin në Kosovë. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi në një konferencë për gazetarë, tha se ky është ekstradimi i parë nga Institucionet e Republikës së Kosovës, respektivisht nga Ministria Drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë ka bërë ekstradimin e një shtetasi Kosovar, nga Zvicra në Kosovë. I ekstraduari S.Z. është nga komuna e Mitrovicës, i cili ka qenë person në kërkim në bazë të letërreshtimit të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, për dyshimin se ka kryer vepër penale vrasje, të kryer në vitin 1995 në Mitrovicë, të kryer ndaj një shtetasi kosovar”,- tha Kelmendi.
Pas kërkesës së Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, UNMIK-u ka lëshuar letërarrestim ndërkombëtar, ne bazë të së cilit S. Z. është arrestuar në Zvicër. Menjëherë pas kësaj Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës ka dërguar kërkesën për ekstradim e tij dhe kësaj kërkese i janë përgjigjur pozitivisht autoritetet e Federatës Zvicerane.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›