E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë të huaj “pushtojnë” topin shqiptar

Stolin kuqezi e kanë drejtuar 2 kroatë, 1 serb, 1 gjerman, 1 holandez e 1 hungarez. I vetmi që ka fituar një trofe ndërkombëtar është serbi Broçiç, kampion i Ballkanit

Dash Frashëri- I pari trajner i huaj i Shqipërisë është jugosllavi Ljubisha Broçiç. Serbi në krye të Kombëtares sonë ia doli të fitojë Kampionatin Ballkanik të vitit 1946 të zhvilluar në Tiranë, pas refuzimit të Greqisë për ta organizuar atë. Atëherë nuk kishte lindur Kampionati Europian dhe kampionatet midis vendeve zhvilloheshin në bazë të afërsisë gjeografike. Në “Qemal Stafa” Shqipëria u shpall kampione e gadishullit pasi u përball me Jugosllavinë (2-3), Bullgarinë (3-1) e Rumaninë (1-0).
Pas prishjeve të marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, Ljubisha Broçiç u largua nga Shqipëria, ndërsa vite më vonë ka drejtuar në rang kombëtaresh dhe Zelandën e Re, Kuvajtin e Bahreinin. Broshiç ka drejtuar edhe skuadrat më të mëdha në botë si Barcelona, Juventusi e PSV Eindhoven. Shqipërinë e ka drejtuar për pak kohë edhe hungarezi Miklos Vadas, por pa zhvilluar ndeshje ndërkombëtare.
DOSENA
Italiani Xhuzepe Dosena ishte dhe i pari në serinë e gjatë të trajnerëve të huaj të emëruar nga FSHF-ja, përmes presidentit Armand Duka. Dosena mbërriti në Shqipëri për të pasuar të shkarkuarin Sulejman Demollari, i fundit trajner shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen. Pa asnjë mundësi për ndeshje miqësore, Kombëtarja nën drejtimin e Dosenës barazoi me Zvicrën (1-1) në Tiranë dhe humbi në transfertë me Rusinë (4-1). Italiani u “arratis” pa lënë të paktën një letër lamtumire, ndërkohë që FSHF ia morri me gjyq një pjesë të parave që i kishte dhënë. Përpara se të merrte Shqipërinë, Dosena kishte drejtuar Ganën dhe kishte qenë ndihmës i Cezare Maldinit te Paraguai në Kupën Botës 2002. Mbahet mend si një “tradhtar” i besimit të FSHF-së.
BRIGEL
Gjermani Hans Peter Brigel, edhe pse pa ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, arriti të vendoste shtatë rekorde me Shqipërinë, ku spikat numri 13 i pikëve të grumbulluara, gjë që nuk e ka arritur askush më parë, qoftë ky i huaj apo shqiptar.
Pas disa eksperiencave modeste në Gjermani e Turqi (Beshiktashin, Trabzonsporin), Shqipëria ishte trampolina e madhe e karrierës së tij. Brigeli e nisi me një fitore historike kundër Rusisë (3-1), por kulmi i tij ishte triumfi madhështor kundër kampiones së Europës, Greqisë (2-1). Solli një disiplinë taktike e frymë të jashtëzakonshme grupi te lojtarët e Kombëtares, por edhe prurje të reja. Fitoi edhe një mandat të dytë me përfaqësuesen, por në të tretin iu vunë kushte të papranueshme prej tij në kontratë. I larguar kokëlart e me respekt nga Shqipëria. Brigel dështoi më pas si trajner i Bahreinit, ashtu dhe si me Ankaruguçy në Turqi (është në gjyq me klubin turk)
BARIÇ
Kroati Oto Bariç ishte një zgjedhje personale e Armand Dukës, dhe njëherësh nga më befasueset, pasi në kohën që “Oto Maximale” morri përfaqësuesen tonë ishte thuajse 74-vjeç, njëherësh edhe trajneri më i moshuar në botë, që drejtonte një ekip Kombëtar. Bariç do të mbahet më mend si “më i madhi” i trajnerëve që ka drejtuar ndonjëherë Shqipërinë, por edhe si më “revolucionari” pasi “plakushi” ishte i dashuruar me futbollistët e rinj dhe të talentuar. Dy ndeshje të mëdha me Bullgarinë e dy dinjitoze me Holandën, por me dy humbje të turpshme me Bjellorusinë e Rumaninë, e detyruan të jepte dorëheqjen, pa e përfunduar në kohë kontratën, por me ndeshje të përfunduara. Kishte pranuar në parim rinovimin, por nuk preferoi më bashkëpunimin pas humbjes me Rumaninë. Profesionist i madh, takticien i pagabueshëm. Kroati Oto Bariç përpara se të merrte drejtimin e Shqipërisë, kishte drejtuar një duzinë skuadrash në rreth 2000 ndeshjesh, teksa me Shqipërinë në humbjen e hidhur kundër Rumanisë (6-1) kompletoi numrin e 100 ndeshjeve si trajner i kombëtareve të Kroacisë, Austrisë e Shqipërisë. Ende sot konsiderohet si “mentori” i duhur për të futur në shinat e duhura “trenin” e kombëtares shqiptare.
HAN
I përzgjedhur me rekomandimin e avokatit të njohur shqiptaro-austriak Skënder Fani, presidenti Armand Duka ia imponoi zgjedhjen e holandezit “hokatar” Ari Han, Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. I mirëpaguar, 300 mijë euro kontratë, Hani nuk dëshmoi se e meritonte atë shumë të kripur për buxhetin e FSHF-së.
Për holandezin hokatar Ari Han, Shqipëria ishte Kombëtarja e tretë që ai drejtonte pas eksperiencave në Kinë e Kamerun, por e parë në Europë, të cilën dëshironte ta përdorte për “gjuetinë” e një ekip më të madh e më shumë para. Gjithsesi, dy barazimet e mëdha me Suedinë e Portugalinë, duket se kanë qenë më shumë pjesë e fatit dhe kontributit të lojtarëve se sa fryt i punës së tij. Edhe pse pjesë e Holandës së futbollit total nuk guxoi kurrë të luante në sulm, edhe pse luanim kundër Maltës. Shkarkimi i tij erdhi si presion popullor, por dhe mosrealizimit e objektivit kryesor, zënien e vendit të katërt. Hani tani është thjesht një kujtim që duhet harruar.

Trajnerët e huaj të Shqipërisë

Josip Kuzhe (kroat)
Nga 19.05.2009

Ari Han (holandez)
01.01.2008-15.04.2009

Oto Bariç (kroat)
01.07.2006 01.06.2007

Hans Peter Brigel (gjerman)
29.03.2003 30.05.2006

Xhuzepe Dosena (italian)
12.07.2002 16.12.2002

Miklos Vadas (hungarez)
29.11.1953

Ljubisha Broshiç (serb)
22.09.1946 13.10.1946

“Bëmat” e mëdha

Nuk duhet mohuar kurrsesi, se pjesë e rezultateve të mëdha të Shqipërisë në arenën ndërkombëtar kanë qenë pjesë edhe trajnerët e huaj të saj, duke nisur me jugosllavin Ljubisha Broshiç (fitoi me Shqipërinë kampionatin ballkanik 1946), gjermanin Hans Peter Brigel (fitoi kundër Rusisë, 3-1, dhe kundër Greqisë, 2-1, atëherë kampione në fuqi të Europës), kroatin Oto Bariç (dy barazime të forta me Bullgarinë, ku dallon ai 0-0 në Sofje) e përfunduar me holandezin Ari Han (barazimet spektatolare me Suedinë e Portugalinë).

Të huajt, tendenca e re në Europë

Panorama europiane e 53 ekipeve përfaqësuese që aderojnë në zonën europiane, UEFA, jep një statistikë: 18 trajnerë drejtojnë ekipe kombëtare të ndryshme nga kombësia e vendit të tyre. Duke i hedhur një sy 53 ekipeve kombëtare të zonës UEFA, ia vlen të publikojmë disa statistika. Përgjithësisht vendet e vogla me futboll në zhvillim e sipër kanë në krye të ekipeve përfaqësuese trajnerë të huaj. Andora drejtohet nga spanjolli David Rodrigo, Armenia nga danezi Jan P.Poulsen, Azerbajxhani nga gjermani Berti Vogts, Bjellorusia nga gjermani tjetër Bernd Stange, Qipro nga greku Angelos Anastialidis, Ishujt Faroe nga irlandezi Brian Kerr, Finlanda nga anglezi Stjuart Bakster, Kazakistani gjermanin Bernd Stork, madje edhe Gjeorgjia, me të cilën do të zhvillojmë një ndeshje miqësore, më 10 qershor drejtohet nga argjentinasi i njohur Hektor Kuper. Kjo ndodh edhe me dy ekipe të grupit tonë eliminator: Hungaria ka për trajner holandezin Ervin Koeman, ndërsa Malta, çekun Dushan Fitcel. Të mos harrojmë se Anglia, Greqia, Polonia e Irlanda, katër ekipe me emër në Europë drejtohen respektivisht nga italiani Fabio Kapelo, gjermani Oto Rehagel, holandezi Leo Benhaker e italiani Xhovani Trapatoni.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›