Angels and Demons, premierë për personalitetet e artit
Vetëm pak ditë pas premierës botërore, filmi Angels and Demons mbërrin edhe në Tiranë. Prodhimi i shumëpërfolur hollivudian vjen në ekranin e madh të kinemasë Millennium. Projeksioni i parë i filmit ishte një premierë e veçantë me të ftuar nga fusha të ndryshme të artit dhe të shoqërisë shqiptare, të cilët panë një nga filmat më të përfolur që vjen në distancë mjaft të shkurtër kohore nga premiera amerikane. Pas premierës filmi do të shfaqet për publikun e gjerë në pesë projeksione në ditë, duke filluar prej ditës së sotme.
Premiera shqiptare e Angels & Demons është një iniciativë e kinema Millennium e konkretizuar me bashkëpunimin e kompanisë mediatike Jeta. Pikërisht në ditën e premierës, përveç filmit, lexuesit do të kenë mundësinë të shikojnë edhe botimin e ri të librit Engjëj dhe Djaj që këtë herë ka në kopertinë aktorin hollivudian Tom Hanks. Ashtu sikundër veproi edhe me librin Kodi i Da Vincit , tre vjet më parë Shtëpia Botuese Dudaj ka menduar që për fansat e përbashkët të kinemasë e të letërsisë të hedhë në qarkullim edhe një botim të veçantë që ka për kopertinë posterin e filmit. Ndonëse doli në kinematë amerikane në të njëjtën kohë me filma mjaft të fortë, fundjava e parë e Angels & Demons ka qenë mjaft e mirë. Vendi i parë në arkëtimet amerikane është pushtuar pikërisht nga përshtatja kinematografike e librit Engjëj dhe djaj të shkrimtarit Dan Brown. Prodhimi i drejtuar nga regjisori Ron Howard ka arkëtuar plot 48 milionë dollarë në rreth 3 mijë salla kinemash në kontinentin amerikan duke lënë në vend të dytë filmin Star Trek. Shifra konsiderohet mjaft e kënaqshme dhe një predispozitë e mirë për të konkurruar filmin The Da Vinci Code, i cili në përfundim të projeksioneve të tij kishte mbledhur në mbarë botën mbi 217 milionë dollarë. Edhe në Shqipëri përshtatja e librit të parë të Dan Brown, rezultoi mjaft e suksesshme. The Da Vinci Code ishte filmi më i shikuar për vitin 2006. Ai u shfaq në Tiranë në të njëjtën ditë me premierën botërore, 19 maj. Angels & Demons është konsideruar një vijim i filmit The Da Vinci Code. Por ky vijim nuk ka të bëjë vetëm me faktin se të dy vijnë si përshtatje të dy librave të Dan Brown, por edhe me disa pika të tjera takimi mes dy filmave. Duke qëndruar tek Dan Brown, mund të themi se autori i librit, ka asistuar në skenarin e filmit të parë, ndërsa e ka mbikëqyrur të dyja përshtatjet kinematografike në cilësinë e producentit ekzekutiv të filmave. Profesori i famshëm Robert Langdon është sërish aktori hollivudian Tom Hanks, i cili zë vendin kryesor në posterin e Angels & Demons.