Çmimet "Kult", në garë 40 artistë
Gara për çmimet "Kult" ka startuar që dje, duke sjellë në edicionin e pestë të saj në garë këtë vit 40 artistë për 10 trofe. Akademia "Kult" do të shpallë në 10 qershor në Tiranë, për të pestin vit radhazi, 10 personalitetet me të mira të vitit 2009, në letërsi, përkthim, art pamor, aktrim, kinematografi etj. Për çmimet Kult 2009 janë përzgjedhur 40 artistë, të cilët u prezantuan dje në një konferencë për shtyp.
"Në shembullin e të gjithë aktiviteteve të ngjashme në botë dhe këto çmime tentojnë të kenë këtë vlerë në kohëzgjatje, duke sjellë çdo vit vlerat më të mira të artit dhe të kulturës shqiptare, duke bërë një promovim shumë të mirë të këtyre vlerave në publik. Një risi tjetër është që ne vazhdojmë të fokusohemi jo vetë të krijimtaria individuale, por njëkohësisht dhe te ato krijimtari që kanë lënë me shumë gjurmë në kulturën dhe artin shqiptar gjatë vitit të kaluar. Po kështu kemi për herë të parë një çmim këtë vit për përkthyesin e vitit", u shpreh Ylli Sula, drejtor i Kult. Ky vit ashtu si dhe edicionet e mëparshme, pritet të sjellë risi të shumta. Sipas Sulës një nga risitë e këtij viti do të jetë kthimi i kategorisë për çmimin e filmit më të mirë shqiptar, si dhe kategoria e përkthyesit më të mirë, që sjell vlerat e letërsisë botërore në gjuhën tonë. Tashmë edicioni i pestë i çmimeve "Kult" ka hyrë në fazën e dytë, ku rol të rëndësishëm për evidentimin e më të preferuarve luan dhe publiku. Për votimet nga publiku, akademia Kult ka vënë në dispozicion ëeb site-in e tij ëëë.akademiakult.com dhe numrin e telefonit 1513 në të cilin mund të dërgohen mesazhe të shkruara. Nata finale e edicionit të pestë të çmimeve Kult do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në datën 10 qershor. Katër juri me 7 anëtarë do të shpallin këto çmime. Artistët e zgjedhur për çmimet Kult 2009 janë të grupuar sipas kategorive. Kështu do të ketë çmime për librin artistik të vitit, përkthimin e vitit, artistin pamor të vitit, interpretuesin lirik të vitit, aktori i vitit, instrumenti i vitit, albumi muzikor i vitit, regjisori i vitit etj.