E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angjeli e një ministër në Prokurori për Albtelekomin

15/02/2009  Organi i akuzës pret 15 fletë-thirrje për personat që dyshohet se abuzuan me tenderin e privatizimit

Prokuroria e Tiranës ka prerë 15 fletë-thirrje për personat që dyshohen se kanë abuzuar me procedurat e tenderit të kompanisë shtetërore Albtelekom. Mësohet se fletë-thirrjet i janë drejtuar komisionerëve të vlerësimit të ofertave, për të cilët Task-Forca ka ngritur dyshime se kanë abuzuar në mënyrën e përzgjedhjes së fituesit. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat konfirmuan se në ditët në vazhdim në organin e akuzës pritet të paraqiten për të dëshmuar rreth 15 persona, midis të cilëve edhe një ministër aktual i qeverisë Berisha si dhe ish-ministri Anastas Angjeli. Skualifikimi nga gara i firmës gjermane “Axos”, për privatizimin e kompanisë të telefonisë fikse Albtelekom, është bërë objekt hetimi nga Task-Forca në Prokurorinë e Tiranës.

Hetimet për tenderin

Kronikat dhe artikujt e mediave për këtë kontratë, të cilat raportonin se firma gjermane kishte ofruar 200 milionë euro më shumë se kompania turke “Çalik”, kanë detyruar prokurorët dhe hetuesit e seksionit kundër informalitetit të verifikojnë procedurat e zhvillimit të tenderit. Grupi hetimor ka sekuestruar procedurat e tenderimit, si dhe ofertat e dy kompanive që pretendonin pronësinë e gjigantit të telefonisë fikse në Shqipëri. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se firma fituese nuk ka dhënë ofertën më të lartë për blerjen e Albtelekom-it, pasi konkurrentët e saj gjermanë rezulton të kenë dhënë shumën më të lartë financiare. Burimet thanë se për shitjen e Albtelekomit Qeveria me anën e një VKM, ka përcaktuar 12 anëtarët e Komisionit të Transparencës dhe Konsulencës. Mësohet se ky komision drejtohej nga ish-ministri i asaj kohe Anastas Angjeli, i cili me anën e një Vendimi të Këshillit të Ministrave ka kërkuar që 12 anëtarët të merrnin, rolin e vlerësimit të ofertave që paraqisnin firmat e interesuara për blerjen e Albtelekomit. Organi i akuzës ngre dyshime se anëtarët e Komisionit të Transparencës, për “punën e mirë” që bënë, kanë marrë si shpërblim rreth 2 milionë lekë. Pas vlerësimit të ofertave është vendosur shitja e Albtelekomit me një vlerë 120 milionë euro. Lidhur me këtë shitje organi i akuzës ka thirrur 15 persona, për të dhënë deklarimet e tyre në mënyrën sesi janë ndjekur procedurat e tenderit të zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë në muajin maj 2005.

Dyshimet mbi ministrin

Një firmë e vetme (Çalik) ka bërë ofertë për shitjen e Albtelekom-it. Mirëpo sipas akuzës, një gjë e tillë është abuzive pasi sipas ligjit shqiptar, nëse shpallet tenderi për privatizimin e një subjekti duhet të jenë më shumë se dy firma që konkurrojnë. Fillimisht tri firma kanë qenë në garë, por kanë hequr dorë tri ditë nga zhvillimi i tenderit, duke lënë në garë vetëm një firmë. Arsyen e dorëheqjes së tyre pritet ta shpjegojë ministri aktual i qeverisë Berisha si dhe komisionerët e tjerë. Prokuroria ngre dyshime se ministria mund t’i ketë bërë presion firmave, në mënyrë që ato të tërhiqen nga tenderi i shitjes së Albtelekomit

Oferta

Firma turke “Çalik” e mbetur e vetme në garë, sipas Prokurorisë ka bërë ofertën e saj në momentin e fundit. Mirëpo veç kësaj shkelje, prokuroria thotë se dokumentacioni i paraqitur nga kjo firmë, ka qenë jo i plotë. Por, komisioni i vlerësimit në vend që të shpallte të pavlefshëm tenderin e ka pranuar ofertën duk e shpallur firmën fituese të rregullt. Akuza ka zbuluar se një firmë fantazmë i është bashkuar firmës turke “Çalik”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›