Arian Ndoja: I paqartë pushimi i hetimeve për prokurorin
15/02/2009 Një ditë pasi njësia hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës ka pushuar hetimet ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, mbeten ende të paqarta motivet e një vendimi të tillë. Ndoja u akuzua pak kohë më parë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, për mosdeklarimin e të ardhurave. Burime pranë organit të akuzës kryeqytetase thanë se pretendimet e ngritura në kallëzimin e drejtuesit të ILDP-së, Adriatik Llalla, qëndronin plotësisht dhe raporti ishte hartuar pas verifikimeve të plota, por të njëjtat burime nuk saktësojnë arsyen e pushimit të hetimeve ndaj Ndojës. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, kryesuar nga Adriatik Llalla denoncoi zyrtarin për shkak të mos justifikimit të pasurisë së vënë për gjatë katër viteve të fundit, ku një pjesë së kohës ai ka punuar edhe si avokat. Pasuria e katër viteve të fundit të prokurorit shkonte në 750 mijë euro, plus hoteleve dhe objekteve të tjera që ai dispononte. Pas kallëzimit Ndoja dha dorëheqjen si kryeprokuror i Durrësit.