E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në një vit gjykata jep 500 vendime për lejime përgjimesh

15/02/2009  Krimet e Rënda e Apeli në analizën 1-vjeçare

Krimet e Rënda kërkojnë shtimin e neneve që duhet të kalojnë në kompetencë të gjykimit të saj. Kjo kërkesë u bë dje në analizën vjetore të punës së Gjykatës për Krime të Rënda ku ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë Enkejeld Alibeaj, Avokati i Popullit Ermir Dobjani, zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu dhe kryetari i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Olsian Çela. “Në kuadrin e reformës në drejtësi, vlerësojmë se është e nevojshme që të bëhen përmirësime të mëtejshme në Kodin e Procedurës Penale, që kanë të bëjnë me kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Renda duhen shtuar dhe disa figura të tjera veprash penale që kanë qenë fillimisht në kompetencën e kësaj gjykate. Kjo është në përputhje me konceptin e “krimit serioz” sipas Protokollit të Palermos, por dhe në përputhje me mendimin e shumë profesionistëve të drejtësisë penale, si dhe të opinionit publik mbi atë së cilat çështje duhet të jenë në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda”, ka shpjeguar dje kryetari Dritan Hallunaj. Në të vërtetë një kërkesë e tillë është bërë edhe tre vite më parë nga ish kryetari i kësaj gjykate, por që ka mbetur në hije pa u marr në konsideratë. Në argumentimin e tij Olsian Çela ka sqaruar se nuk kishte vend ndryshimi i kompetencës lëndore. “Krimi i organizuar është një problem për të gjithë aktorët që janë të përfshirë. Me gjithë numrin e çështjeve për gjykim një pjesë e çështjeve janë zgjidhur me gjykim të shkurtuar, duke i dhënë kohë prokurorëve që të kryejnë hetime cilësore”, ka theksuar Çela. Nga ana e tij ministri i Drejtësisë tha se kjo ishte e vetmja gjykatë që kërkonte që të kishte më shumë çështje për të gjykuar, por sipas tij një dosje në këtë gjykatë kërkon më shumë kohë për shkak të volumit të saj.

Trupat gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda i kanë rekomanduar dje ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, që të plotësojnë më tej kuadrin ligjor për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, rishikimin e Kodit Penal për disa figura të veprave penale në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda. Në vëmendje u soll edhe rishikimi i K. Pr. Penale dhe sidomos të raporteve gjykatë-palë, të disa afateve prekluzive dhe të afateve të paraburgimit për të pandehurit që akuzohen për krime të rënda.

Ministri

Në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, zëvendëskryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu vuri në dukje se Gjykata e Shkallës së Parë kishte shqyrtuar një numër shumë të madh të kërkesave për përgjime. Sipas Spahiut, kanë mbërritur shumë kërkesa në të cilat thuhet se janë bërë shumë shkelje në lidhje me përgjimet, dhe meqenëse vendimet për përgjimet nuk monitorohen as nga Gjykata e Apelit, atëherë duhet të bëhen ndryshime në ligj. Kështu një nga ndryshimet që duhet të futen në ligj ishte edhe përcaktimi i emrit të personit për të cilën i kërkohet nga ana e Prokurorisë që ai të përgjohej, krahas numrit të telefonit. Pikërisht këto përgjime vijnë edhe në shkeljet që mund të bëhen në përgjimin e ndonjë personi me imunitet. Ndërkohë që gjatë analizës së zhvilluar po dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Spahiu iu drejtua gjyqtarëve që të bënin maksimalen në mos harxhimin e trupës gjyqësore. Sipas Spahiut, kërkesat paraprake duhet të shqyrtohen nga i njëjti gjyqtar, në mënyrë të tillë që të mos konsumohen të gjitha trupat gjyqësore dhe më pas ato të shtohen me gjyqtarë nga gjykata e rretheve. Ndërkohë ministri i Drejtësisë kërkoi dje që gjykata dhe avokatët të mos jenë skeptike ndaj projektligjit për avokatinë, që sipas tij, kërkon një klimë bashkëpunimi dhe mirëbesimi mes palëve. “Në qoftë se do të mund të bëni një rregullim të brendshëm që avokatët të marrin të njëjtën përgjigje nga gjyqtarët. Projektligji mbi avokatinë kërkon besim dhe mirëbesim nga të dyja palët. Kostot për mirëmbajtjen janë të larta, por këto kosto nuk janë planifikuar në buxhetin e këtij viti, gjë e cila është një mangësi dhe duhet të kryhet pasi nuk mund të marrim hua nga Qeveria”, shpjegoi Alibeaj.

Statistika

Kërkesa për gjykim (çështje themeli) 145

Masa sigurimi 277

Kërkesa për sekuestro në bazë të LPGKO 22

Kërkesa për lejim përgjimesh 500

Kërkesa të tjera penale 77

1021 çështje janë gjykuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda gjatë një viti. Numrin më të madh të kërkesave të shqyrtuara nga ana e gjyqtarëve kanë qenë kërkesat për përgjimeve të personave të dyshuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›