Anglezët: Murinjo do të kthehet në Premiership
Zhoze Murinjo mund të kthehet sërish në Premiership. Spekulimet se trajneri do të largohet nga Interi kthehen sërish në aktualitet: sipas "Daily Mail", portugezi do të punojë në Angli prej vitit 2010 edhe pse ka kontratë me kampionët e Italisë deri në 30 qershor 2012. Mançester Junajtid, Mançester Siti dhe Liverpuli janë destinacionet e mundshme. Së fundmi Murinjo ka përgënjeshtruar një intervistë për "Times", sipas së cilës ai shprehet i gatshëm të kthehej në elitën e futbollit britanik, pas aventurës së jashtëzakonshme me Çelsin. "Gjithsesi, njerëzit e tij të afërt konfirmojnë se tekniku nuk është aspak i lumtur në Itali", shkruante tabloibi. "Aktualisht, Liverpuli dhe Siti synojnë të vazhdojnë me Rafa Benitez dhe Mark Hjuxhs, ndërsa në ‘Olld Traford‘ askush nuk po mendon për pasardhësin e Ferguson". Por, trajneri skocez i "Djajve të Kuq" e admiron punën dhe metodat e Murinjos dhe "do të jetë shumë interesante të shihet nëse 67-vjeçari do ta sinkronizojë tërheqjen e tij nga futbolli me largimin e portugezit nga ‘San Siro‘". Junajtid është një alternativë për Murinjon, edhe sepse kampionët e Premiershipit mendojnë se "‘Speciali‘ është një trajner i përgatitur dhe më punëtor pas eksperiencave te Çelsi e tek Interi, një njeri me të cilin drejtori i përgjithshëm, Devid Gill, do të punonte i qetë". "Daily Mail" ka kujtuar polemikat me kolegët italianë dhe mediat përtej Adriatikut, por edhe kritikat për rezultatet e dobëta në Champions. "Murinjo u dashurua me Anglinë, ashtu si nuk ka arritur të ndiejë të njëjtën gjë për Italinë, ai e urren ‘katenaçon‘".