Sotir Caci nderohet me "Mjeshtëri i Madh i Punës"
Sotir Caci, përkthyes e poet i njohur, i përket asaj gjenerate që punoi pa menduar për çmimet. Nderimet i vijnë pas vdekjes. Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, në një ceremoni që do të organizohet sot, ora 18:00, në Muzeun Historik Kombëtar, i dorëzon titullin "Mjeshtër i Madh i Punës". Sotir Caci është një nga mjeshtërit e shqipërimeve, pas emrit të të cilit qëndrojnë kryevepra botërore. Shqipëroi "Antologjia e poezisë franceze", "Kënga e Rolandit" dhe "Romani i dhelprës", poezinë e Valmorit dhe La Fontenit, të Bualosë dhe Volterit, të A. de Mysesë, Sh. Bodlerit, A. de Vinjisë, Neolit, Rembosë etj. Punës së tij i bashkëngjitet shqipërimi i komedive më të spikatura të Molierit, romanet e njohura të Balzakut, romani "Manastiri i Parmës" i Stendalit, tregime dhe novela të A. Dodesë, të letërsisë ruse të Tolstoit, Çehovit, Fadejevit etj. Sotir Caci i përket një plejade e tërë përkthyesish si Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Vedat Kokona po dhe të tjerë si Papakristo, Luarasi, Selfo, Kokalari, Doko, Zheji, Shvarci etj. I lindur më 1917 në një familje atdhetare në fshatin Borovë të krahinës së Kolonjës, ai do të mëkohej e brumosej veç të tjerash, gjuhësisht me pasurinë dhe bukurinë e gjuhës së F. Nolit me shokë. Në Elbasan, Sotiri, do të kryente Shkollën Normale, do të ishte nxënës i Aleksandër Xhuvanit dhe me dashurinë për shqipen dhe dijen, ai do të punonte për vite me radhë mësues nëpër fshatra. Një brez i tërë letrarësh të ri në këtë kohë, pjesa më e madhe mësues, do të debutonin në letërsi dhe do të dalloheshin për temat sociale dhe origjinalitetin krijues. Sotir Caci do të ishte një prej tyre që do të bashkëpunonte në revistat e gazetat e kohës me poezi dhe tregime dhe që do të tërhiqte vëmendjen e kritikës. Vjershat e tij, kryesisht me tema dashurie, jo rastësisht u botuan në të vetmen antologji të poetëve të rinj nga fundi i viteve ‘30, krahas poezive të Migjenit, Petro Markos, Dhimitër Shuteriqit etj. Por veprimtaria e hershme letrare e Sotir Cacit nuk lidhet vetëm me poezinë. Krahas kësaj, ai do të niste të përkthente sidomos prozë, të cilën do ta botonte në revistat e kohës. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, poeti i ri u lidh shpirtërisht dhe mbështeti popullin për çlirimin e atdheut. Pas masakrës naziste të Borovës, ku humbi të dy prindërit, i tronditur nga ngjarja e kobshme, shkroi poemën "Borova", vepra e tij ndofta më e mirë, e cila më pas dhe u bë muzikë nga kompozitori Kristo Kone. Pas çlirimit, Sotir Caci punoi në fillim si redaktor dhe përkthyes në gazetën "Bashkimi", pastaj në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku për disa vjet ishte dhe anëtar i komitetit drejtues dhe në fund në shtëpinë botuese "Naim Frashëri". Ai është një nga themeluesit e këtij enti, shef redaksie, mbi të gjitha përkthyes, që ia kushtoi tërë energjitë dhe vitet më të mira kësaj pune.