Ujkani: Qëndroj te Novara, nëse ngjitemi në Serinë B
Samir Ujkani po përjeton një prej momenteve më të mira në karrierë. Viti 2009 ka qenë shumë i suksesshëm për portierin, që përveç aktivizimit si titullar në disa ndeshje me Kombëtaren shqiptare, po shkëlqen edhe me Novarën në Ligën Pro (Seria C1). "Gardiani" kuqezi ka dhënë kontributin e tij në rezultatet e skuadrës, e cila kryeson klasifikimin pas 15 javësh, duke mos pësuar asnjë humbje. Në 12 ndeshje ku është aktivizuar, 21-vjeçari ka pësuar vetëm 5 gola. Një ecuri që as vetë ish-portieri i Anderlehtit në Belgjikë nuk e kishte parashikuar në momentin kur u transferua te Novara në formë huazimi nga Palermo. "Për mua ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe më ka dhuruar shumë kënaqësi: debutova me Palermon në Serinë A, debutova me Kombëtaren në miqësoren kundër Milanit dhe më pas luajta edhe në dy ndeshje eliminatore dhe te Novara gjithçka po shkon për mrekulli, tha Ujkani për kosovaren ‘Express‘. Shpresoja që do të kisha sukses në këtë aventurë, por nuk prisja që gjërat të ecnin kaq mirë. Rezultatet nuk janë të rastësishme, pasi ato vijnë kur punon seriozisht dhe jep gjithmonë maksimumin". Edhe pse mungojnë shumë javë nga mbyllja e kampionatit, ngjitja në Serinë B italiane duket një objektiv i realizueshëm. Novara ka grumbulluar 35 pikë, ndërsa Kremoneze e vendit të dytë ka pesë pikë më pak. Ujkani beson te ngjitja në "B", madje thekson se mund të vendosë të qëndrojë te klubi piemontez. "Përpara se të vija për të luajtur këtu, drejtori sportiv i Novarës më tregoi për ambiciet që skuadra të ngjitej në Serinë B. Ecuria gjatë këtij sezoni ka qenë shumë e mirë, pasi nuk kemi pësuar asnjë humbje në 15 takime të luajtura dhe besoj se nëse vazhdojmë në këtë rrugë do t‘ia arrijmë qëllimit, shtoi portieri. Sipas marrëveshjes paraprake, në fund të sezonit duhet të kthehem te Palermo, e cila zotëron kartonin tim. Por, nëse Novara arrin të ngjitet një kategori më lart ndoshta do të ishte më mirë të mos largohesha. Gjithsesi, ky është një vendim që i takon klubeve".
Skuadra e provincës së Torinos ka qenë edhe surpriza e këtij edicioni në Kupën e Italisë. Pas katër fitoreve, ku ka mposhtur edhe Parmën dhe Sienën që militojnë në Serinë A, Novara do të luajë në 1/8 e këtij trofeu përballë Milanit. Ujkani thekson se dëshira është që të fitojnë edhe në "San Siro", edhe pse është i vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë e lehtë. "Do të zbresim në fushën e Milanit me objektivin që të fitojmë dhe të kualifikohemi më tej në Kupë. Normalisht, e kemi të qartë se arritja e një rezultati të tillë do të jetë shumë i vështirë, pasi dihet forca e skuadrës kuqezi", theksoi ai. Në fund edhe dy fjalë për përfaqësuesen kuqezi dhe kualifikueset e Euro 2012: "Duhet të mësojmë më parë kundërshtarët që do të kemi në grup. Megjithatë, duhet të besojmë te kualifikimi, shikoni sesi arriti Sllovenia që të marrë pjesë në Botëror".
e. kodheli