E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA refuzon Irlandën: E pamundur të jetë në botëror

Pjesëmarrja e Irlandës në Botërorin 2010 si skuadra e 33-të është "e pamundur". Zherom Valke, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, ka shpjeguar arsyen se përse skuadra e drejtuar nga Trapatoni ka shumë pak shanse që të luajë në Afrikën e Jugut. Irlandezët u eliminuan nga Franca në "play-off", pas episodit të shumëpërfolur, ku në aksionin vendimtar, Henri e preku topin me dorë. Pas kërkesës zyrtare të federatës, që Irlanda të mos lihet jashtë aktivitetit më të rëndësishëm në rang përfaqësuesesh, reagoi numri 2 i "qeverisë" botërore të futbollit. "Irlanda nuk mund të luajë në Kupën e Botës 2010. Nuk do të thosha se kërkesa e tyre është e pakuptimtë, por thjesht e pamundur që të realizohet", deklaroi Valke, duke mbyllur virtualisht çdo diskutim. Të hënën, presidenti i FIFA-s, Sep Blater, konfirmoi se pretendimi i Irlandës do të shqyrtohet nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Botërore, që do të mblidhet sot në Kejp Taun. Megjithatë, Valke u shpreh qartë: "Nëse pranojmë kërkesën e irlandezëve, përse të mos të bëjmë të njëjtën gjë me Kosta Rikën apo ndonjë vend tjetër?" Vendimi dukej i parashikueshëm edhe përpara deklaratës. Për këtë arsye, zv.trajneri i bardhejeshilëve, Liam Bredi, ka sulmuar ashpër Blaterin, i cili e bëri publike kërkesën. "Blater është si një minë me sahat, një personazh prej të cilit FIFA ndihet në siklet, tha ndihmësi i Trapatonit. Mënyra se si ai e paraqiti kërkesën tonë ishte një mungesë respekti. Vazhdon të mos i marrë parasysh episodet që ndodhën në atë mbrëmje dhe, nga ana tjetër, vazhdon të bëjë fushatë për ‘fair-play‘. Nuk besoj se kemi shanse të jemi në botëror".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›