E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Monopatet", autobiografia e një regjimi

"Monopatet", romani autobiografik i kushtohet një burri, që në kalvarin e disa dekadave të jetës gjatë regjimit komunist, nuk e gjeti dot rrugën e tij. Elira Bregu, e bija e Xhevdet Bregut, personazhit të romanit, që është publikuar këto ditë në Tiranë, vendosi t‘i tregojë për të gjithë historitë tronditëse të babait të saj, një vit pasi ai u nda nga jeta në Tiranë, më 1 dhjetor 2008. Ajo është inxhiniere, por vendosi t‘i hedhë në rreshtat e një libri përjetimet e të atit. Prindërit e saj ishin divorcuar kur ajo dhe vëllai ishin shumë të vegjël, ndaj asnjëherë nuk mundi ta njihte babain, karakterin e tij. Në maj të vitit 1993, Elira, e cila tashmë e kishte krijuar familjen e saj në Greqi, erdhi në Shqipëri bashkë me djalin dhe bashkëshortin, për të takuar familjen saj, e sigurisht që një nga njerëzit e parë që takoi ishte babai. "Koha që kishim në dispozicion ishte e shkurtër dhe e pamjaftueshme për t‘u njohur me kalvarin e 55 vjetëve të jetës së tij. Atë ditë, tek bisedonim, i kërkova të hidhte në letër kujtimet mbi jetën dhe familjen e tij. I kërkova të shkruante gjithçka që mbante mend nga jeta, si të familjes së tij, apo dhe ato që kishte dëgjuar nga prindërit. Askush nuk më detyroi t‘i ktheja në formën elektronike këto dorëshkrime e të bëja të mundur botimin e këtij libri. Ishte dëshira për të transmetuar te kushdo eksperiencën jetësore të babait tim. Babai im nuk ishte hero, nuk ishte as politikan, as artist apo historian, për të cilin mund të shkruheshin libra të tërë. Babai im ishte banor dhe nënshtetas shqiptar, i cili jetoi tre sisteme të këtij shteti, Shqipërinë e viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, Shqipërinë e sistemit komunist, ose për të qenë më të qartë, të sistemit të ‘Partisë së Punës Shqiptare‘, si dhe demokracinë e shumëpritur", shkruan autorja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›