Anglezët e "pedofilisë" përballen në gjyq
David Braun tregon abuzimet që kolegët e tij kanë bërë me fëmijët e mitur që ndodheshin në qendrën "Fëmijët e tij"
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, dëgjoi dje dëshminë e të dënuarit me 20 vjet burg për pedofili, anglezit David Braun, në procesin penal ndaj dy ish-vullnetarëve të qendrës bamirëse "Fëmijët e tij", shtetasit Dino Christodoulou dhe Robin Arnold. Ka qenë kërkesa e prokurores së çështjes, që të thirret dhe të dëshmojë para gjykatës i dënuari Braun.
Ai ka shpjeguar për dy orë se si funksiononte qendra "Fëmijët e tij" dhe abuzimet që dy të pandehurit Christodoulou dhe Arnold kanë kryer ndaj fëmijëve. Braun u morr në pyetje vetëm nga prokurorja e çështjes, pasi gjykata ndërpreu seancën me kërkesë të avokatëve. Këta të fundit kërkuan që të bëhen gati për pyetjet që do t'i parashtrohen të dënuarit.
Braun i bazonte deklarimet e tij në rrëfimet e fëmijëve për abuzimet që dy të pandehurit kanë kryer në qendër gjatë viteve 2003-2005. "Fëmijët, pak ditë para se t'i dërgoja për ekzaminim mjekësore më janë ankuar për abuzimet seksuale të kryer ndaj tyre nga Robin Arnold dhe Dino Christodoulou.
Ky i fundit, sipas fëmijëve, ka qenë më i dhunshëm dhe shpesh përsëriste skenat e abuzimit seksual me të miturit që qëndronin në qendrën "Fëmijët e tij". Kam mësuar se Christodoulou shpesh flinte në krevat bashkë me fëmijët dhe i prekte ata në vendet intime.
Këto skena m'i kanë treguar vetë fëmijët, të cilët i dërgova më pas për ekzaminim mjekësor, pasi kisha edhe unë dyshime për abuzimin me ta nga Christodoulou. Atij i kam tërhequr disa herë vëmendjen për këto sjellje, duke e paralajmëruar edhe largimin nga qendra",- mësohet të ketë thënë ndër të tjera Braun.
Ai shtoi "pas ekzaminimit mjekësor mësova se çfarë është bërë me fëmijët që rrinin në qendër nga i pandehuri Christodoulou". I menjëhershëm ka qenë reagimi i Christodoulout, duke iu drejtuar me fjalët po gënjen. "Akuzat ndaj meje janë shpifje, pasi unë vetëm i kam ndihmuar fëmijët dhe nuk kam abuzuar me ta. Këto që thua janë gënjeshtra, si i provon këto që thua",- iu drejtua Christodoulou ish-shefit të qendrës Braun.
Por, reagimi i gjyqtares bëri që i pandehuri të qetësohet dhe të përgatitet për seancën e radhës që t'i drejtojë pyetje dëshmitarit të akuzës. Dy të pandehurit, Christodoulou 45 vjeç, dhe Arnold 56 vjeç, janë ekstraduar nga Londra pak muaj më parë për t'u gjykuar lidhur me çështjen e abuzimit seksual me të miturit jetimë në shtëpinë e fondacionit "Fëmijët e tij", në bashkëpunim, duke u akuzuar për marrëdhënieve homoseksuale me të mitur të moshave nga 6 deri 13 vjeç.